Spiropali për shpalljen “non grata” të Berishës: Turpëroi Shqipërinë!

Ministrja Elisa Spiropali nga Kuvendi ka reaguar për vendimin e DASH ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha duke thënë se ndjen keqardhje që zullumet e tij dhe të aleatëve mbushën botën dhe turpëruan Shqipërinë.

Duke kujtuar se si hyri në politikë Berisha , për demokracinë, Spiropali tha se ndjen keqardhje që energjia e tij u zhbënë nga klani familjar dhe aleatët e tij.

Ajo kujtoi se si për tragjedinë e Gërdecit dhe 21 janarin, nën drejtimin e tij nuk u dënua asgjë, dhe shton se me vendimin e SHBA, këmbanat kanë rënë për të gjithë.

Fjala e plotë.

Asnjë triumfalizëm nuk provoj në këtë çast. Dënimi kapital i Sali Berishës nga aleati ynë më i madh strategjik, nuk më lumturon aspak.

Ndjeva keqardhje të thellë që zullumet e ish Presidentit dhe ish Kryeministrit të vendit tim, familjes së tij dhe aleatëve të tij politikë, mbushën botën anembanë.

Keqardhje që Sali Berisha hyri në jetën e ndryshimeve demokratike të Shqipërisë me vendosmërinë e një shqiponje krenare, dhe po del i turpëruar shoqëruar nga krrokama ndjellakeqe korbash të zinj.

Keqardhje që deliri i Sali Berishës për madhështi dhe energjia e tij nuk qëndruan, nuk vazhduan, por u zvjerdhën, u zhbënë nën trysninë e dukurive të ulëta të padenja të klanit të tij familjar, rrethit të tij klientelist të etur për të vjedhur e për të vrarë deri ku mendja nuk e rrok.

Keqardhje që karizmën e tij të lindur prej Lideri Sali Berisha nuk e përdori kurrë për të bashkuar, për të pajtuar, për të shëruar plagë të vjetra dhe të reja, por vetëm për ta futur thikën e përçarjes thellë e më thellë ndër shqiptarët veri-jug, Shqipëri- Kosovë dhe plot dreqnira të tjera.

Keqardhje që antikomunizmi diletant dhe folklorik i Sali Berishës ishte krejt identik dhe ngjante si dy pika uji me zellin kriminal komunist pēr t’i bërë gropën armikut të brendshëm dhe të jashtëm, me të gjitha pasojat rrënuese që e shoqërojnë.

Keqardhje që nën hyqmin haxhiqamilist të Sali Berishës, asnjë drejtues politik dhe asnjë përfitues biznesi nuk mbajti përgjegjësi për Gërdecin e viktimave të makutërisë, për 21 Janarin e vrasjeve në bulevard, për nakatosjen në këto krime deri edhe prokurorë e gjykatës së kontrolluar kryekrejt nga Sali Berisha, të cilëve u çonte isharete, ky është i imi, provoni, prekeni.

Ndjeva keqardhje që përveç bëmave korruptive,Sali Berishës i sillet në vëmendje retorika politike që ka përdorur për mbrojtjen e aleatëve nga hetimet. Aleati më i madh dihet kush është.

Aleanca zullumqare e Sali Berishës e ka në natyrën e përditshmërisë së saj të paguaj media për të rrënuar besimin te institucionet e drejtësisë, te reformat, te partnerët.

Përdorimi i parave të korrupsionit dhe gjakut të shqiptarëve në kanale dhe portale ku mbretëron shpifja dhe gjuha e urrejtjes, janë puna e pandërprerë e aleancës në fjalë për të shkatërruar çdo normë etike dhe profesionale të komunikimit politik dhe besimit publik.

Reagimi i Lulzim Bashës që s’po di nga t’ja mbajë dhe Partisë Demokratike që s’po gjen derman, ishte për të qeshur e për qarë.

Ata që nuk kanë lënë kundërshtar pa shpallur kriminel e trafikant pa asnjë provë dhe pa asnjë vendim, sot duan prova nga departamenti i shtetit për vendimin e shpallur botërisht. Vetë reagimi i Luli Gjumit që duket si i shkruar me bojën e Sali Berishës dhe dorën e Lulit, është prova se Sala dhe Luli janë dy krijesa simbiotike që vështirë se gjallojnë pa njëri-tjetrin jashtë pengmarrjes reciproke. /tch

 


Shtuar 20.05.2021 11:53