SPAK sqaron arrestimin e Ermal Beqirit: Ishte në kërkim ndërkombëtar që prej 24 dhjetorit 2025, Interpol kishte lëshuar “njoftim të kuq”

Prokuroria e Posaçme ka reaguar zyrtarisht pas arrestimit në Francë të biznesmenit Ermal Beqiri, ndaj të cilit Interpol Tirana kishte publikuar një “njoftim të kuq” për kërkim ndërkombëtar.

Sipas SPAK-ut, Beqiri po hetohet për disa vepra të rënda penale, përfshirë konkurrencën e paligjshme të kryer përmes dhunës, heqjen e paligjshme të lirisë, shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera ose ankande publike, krijimin e një grupi të strukturuar kriminal, kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal, pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, si edhe korrupsionin aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike.

Të lidhura

None found

SPAK bëri të ditur se Gjykata e Posaçme kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Ermal Beqirin dhe biznesmenin Ergys Agasi në dhjetor të vitit 2025. Vendimi ishte përcjellë për ekzekutim te strukturat e Policisë së Shtetit, ndërsa më vonë të dy shtetasit u shpallën në kërkim ndërkombëtar.

Ky sqarim i Prokurorisë së Posaçme vjen edhe pas deklaratave të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Ky i fundit kishte pretenduar se Beqiri kishte kryer veprime me avionët e tij në Austri dhe Slloveni, duke ngritur dyshime se, nëse do të kishte pasur mandat arresti ndërkombëtar, nuk do të mund të vepronte.

SPAK njoftoi se arrestimi në Francë u krye më 24 korrik 2026. Autoritetet franceze ndaluan Beqirin pasi ai hyri me një avion të lehtë në hapësirën ajrore të kufizuar pranë centralit bërthamor të Penly-t, në Seine-Maritime, dhe u detyrua të ulej në aerodromin e Albert-it, në Somme.

Pas arrestimit, gjykata franceze vendosi vijimin e paraburgimit të tij me qëllim ekstradimin në Shqipëri. Ndërkohë, kontrollet dhe hetimet financiare në Francë kanë nxjerrë në pah pasuri që dyshohet se lidhen me veprimtari kriminale. Bëhet fjalë për llogari bankare me vlerë totale mbi 2 milionë euro, dy apartamente, mjete motorike dhe një kështjellë në departamentin e Oise, me vlerë rreth 2.6 milionë euro.

Prokuroria e Posaçme ka nisur procedurat për ekstradimin e Ermal Beqirit nga Franca drejt Shqipërisë. Paralelisht, hetimet për pasuritë e dyshuara kriminale po zhvillohen në bashkëpunim me autoritetet franceze, me synim sekuestrimin dhe konfiskimin e tyre.

SPAK njoftoi se hetimet zhvillohen në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025. Në këtë procedim, më 05.12.2025, është regjistruar edhe emri i shtetasit E.B. si person nën hetim për veprat penale “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Këto vepra parashikohen nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Ai po ashtu hetohet për “Korrupsionin aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, vepër e parashikuar nga neni 244, paragrafi i dytë, i Kodit Penal.

Për shtetasit E.A. dhe E.B., Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” me vendimin nr. 125, datë 15.12.2025, në bazë të nenit 238 të Kodit të Procedurës Penale. Vendimi gjyqësor iu dërgua menjëherë Policisë së Shtetit për ekzekutim, përmes shkresës nr. 43104 prot., datë 17.12.2025.

Më 24.12.2025, me shkresën nr. 43981 prot., Prokuroria e Posaçme i kërkoi Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol Tirana shpalljen në kërkim ndërkombëtar të shtetasve ndaj të cilëve ishte caktuar masa “arrest në burg”. Kërkimi u regjistrua në databazën e Interpol Tiranës përmes “njoftimit të kuq” (red notice).

Më 19 qershor 2026, prokurorët e posaçëm të SPAK-ut iu drejtuan Shërbimit të Sigurisë së Brendshme (SSI) në Tiranë, duke kërkuar ndihmën e autoriteteve franceze për lokalizimin e shtetasit E.B. Kërkesa u bë pasi informacionet e disponueshme sugjeronin se ai ndodhej në territorin e Republikës së Francës.

Në atë moment, E.B. ishte subjekt i një “Njoftimi të Kuq” të Interpolit, të lëshuar me kërkesë të autoriteteve gjyqësore shqiptare për arrestim dhe ekstradim. Pas marrjes së informacionit, SSI kontaktoi Drejtorinë Kombëtare të Policisë Gjyqësore Franceze, duke bërë të mundur nisjen e menjëhershme të verifikimeve dhe hetimeve në Francë. Po atë ditë u vendos bashkëpunimi me Zyrën Qendrore për Luftën kundër Krimit të Organizuar (OCLCO).

Veprimet e para hetimore përforcuan dyshimin se E.B. ndodhej në Francë, në përputhje me të dhënat e përcjella nga prokurorët e SPAK-ut. Hetimet e mëtejshme konfirmuan praninë e tij dhe evidentuan disa pasuri me origjinë të dyshuar kriminale, mes tyre llogari bankare me vlerë mbi 2 milionë euro, dy apartamente, mjete motorike dhe blerjen e një kështjelle në departamentin e Oise (60), me vlerë rreth 2.6 milionë euro.

Për këto pasuri, si edhe për çdo aset tjetër që mund të zbulohet gjatë hetimeve, autoritetet shqiptare i kanë dërguar palës franceze kërkesë për ndihmë juridike, me qëllim marrjen e masave për sekuestrimin e tyre.

Hetimet e kryera nga Brigada Kombëtare e Kërkimit të Personave në Kërkim (BNRF) çuan edhe në identifikimin e automjeteve që dyshohet se mund të ishin përdorur nga personi i kërkuar. Ky informacion ndihmoi në përqendrimin e operacioneve në terren në zonat përkatëse.

Në të njëjtën kohë, në procedurë u përfshi edhe Zyra Qendrore për Luftën kundër Krimit të Rëndë Financiar (OCRGDF). Kjo strukturë kreu verifikime financiare për pasuritë e dyshuara të identifikuara në Francë dhe përgatiti, në koordinim me autoritetet gjyqësore franceze dhe shqiptare, masat e sekuestrimit që do të zbatoheshin përmes bashkëpunimit ndërkombëtar gjyqësor.

Që prej 19 qershorit 2026, SSI-ja, magjistrati ndërlidhës dhe shërbimet e policisë gjyqësore kanë vijuar shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin operacional. Sipas SPAK-ut, koordinimi i përditshëm ka mundësuar përcjelljen e shpejtë të të dhënave dhe përshtatjen e vazhdueshme të hetimeve.

Arrestimi i E.B. u krye më 24 korrik 2026, pasi ai hyri me një avion të lehtë në hapësirën ajrore të kufizuar të centralit bërthamor të Penly-t në Seine-Maritime. Pas ndërhyrjes së autoriteteve, avioni u ul në aerodromin e Albert-it, në Somme. Gjykata franceze urdhëroi qëndrimin e tij në paraburgim për qëllime ekstradimi në Republikën e Shqipërisë.

Aktualisht, hetimet gjyqësore po kryhen nga njësitë e specializuara të Drejtorisë Kombëtare të Policisë Gjyqësore Franceze, në bashkëpunim me SPAK-un. Në të njëjtën kohë, hetimet financiare vijojnë për të mundësuar sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive me origjinë kriminale në territorin francez, në përputhje me mekanizmat e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, autoritetet franceze kryen kontrollin personal të shtetasit E.B., si edhe kontrolle në disa ambiente në pronësi të tij. Gjatë këtyre veprimeve u sekuestruan sende që vlerësohen me interes për procedimin penal.

SPAK i ka përcjellë Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë kërkesën për ekstradimin e E.B. nga Franca në Shqipëri, me qëllim që ajo t’u dërgohet autoriteteve kompetente të Republikës së Francës.

Prokuroria e Posaçme shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e Policisë së Shtetit, Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, Shërbimit të Sigurisë së Brendshme (SSI) në Ambasadën Franceze në Tiranë, Drejtorisë Kombëtare të Policisë Gjyqësore Franceze (DNPJ), Zyrës Qendrore për Luftën kundër Krimit të Organizuar (OCLCO) në Francë, Brigadës Kombëtare të Kërkimit të Personave në Kërkim (BNRF) në Francë dhe magjistratit ndërlidhës të Republikës së Francës. Ky i fundit ka ndihmuar në ruajtjen e komunikimit të vazhdueshëm mes autoriteteve gjyqësore shqiptare dhe franceze, si edhe në ndjekjen e procedurave.

Çdo person konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me një vendim gjyqësor të formës së prerë.


holiganbetJojobetHoliganbet girişHoliganbetHoliganbetGrandpashabetGrandpashabetJojobetHoliganbetHoliganbetJojobetjojobet güncel girişcratosroyalbetganobetultrabetmatbetsultanbeyli escortiptv satın algrandpashabetHoliganbetAnkara escortcasibomjojobetbetciocasibom girişAnkara escort