“S’ka bir nane që ty të mund”, Lladrovci ndan detaje nga biseda me Hashim Thaçin

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, kohë më parë kishte deklaruar se ka pasur mundësinë të bisedonte përmes telefonit me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, i cili së bashku me ish-krerët e tjerë të UÇK-së, po mbahet në paraburgim nga Gjykata Speciale në Hagë.

Edhe pse Lladrovci kishte rrëfyer për bisedën që kishte pasur me ish-presidentin Thaçi, në një intervistë të realizuar për fundvit me lajmi.net, Lladrovci ka zbuluar edhe një mesazh që ia kishte lënë Thaçit përmes telefonit.

“I kam thënë se ‘nuk ka bijë e as bir nane që ty të mund, ki me dalë fitimtar si çdo herë’”, ka treguar Lladrovci.

I pyetur se si do ta përshkruante ish-kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin, i cili së bashku me Thaçin gjithashtu gjendet në paraburgim në Hagë, Lladrovci e ka përshkruar si një “vizionar të pathyeshëm”.

Më poshtë gjeni intervistën e plotë të lajmi.net me kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci:

Pyetje: Kujtimi më i mirë dhe më i keq gjatë vitit 2021?

Ramiz Lladrovci: Kujtimi më i mirë është lindja e nipit tim, Lekës, ndërsa kujtimi më i hidhur është kur lexoja mesazhet nga numrat e telefonave të profiterëve të PDK-së kundër meje në fushatën e fundit zgjedhore.

Pyetje: Cili është hobi juaj dhe a frikësohet nga “dikush” Ramiz Lladrovci?

Ramiz Lladrovci: Futbolli, përcjellja e ndeshjeve të futbollit është prioritet i kohës time të lirë, ndërsa frikë nuk kam, nga frika jam operuar në rininë time të hershme.

Pyetje: Cili është këngëtari/ja juaj i preferuar?

Ramiz Lladrovci: Leonora Jakupi është këngëtarja ime e preferuar.

Pyetje: A mendoni se do ta mundnit Albin Kurtin nëse do të kandidonte për kryetar të Drenasit?

Ramiz Lladrovci: Albinin e kisha sos nëse do të ishte kandidat në Drenas, jo veç me vota por edhe me duele në debate televizive.

Pyetje: A ka bërë ndonjë shaka Hashim Thaçi (sa është në Hagë) gjatë kohës që keni biseduar me të në telefon? Cila është ajo?

Ramiz Lladrovci: Ato që m’i ka thënë, i kam publikuar, megjithëse bisedat ishin tejet emocionale, atmosfera e bisedës sipas meje përshkruhet si e papranueshme për padrejtësinë që i bëhet atij dhe shokëve tjerë që gjenden në Hagë, por, gjithsesi, i kam thënë se “nuk ka bijë as bir nane që ty të mund, ki me dalë fitimtar si çdo herë”.

Pyetje: Nëse nuk do të merreshit me politikë, çfarë profesioni do të kishit?

Ramiz Lladrovci: Në rininë e hershme kam dashur të jem pilot, por rrjedhat e jetës më dërguan tjetër kah, disiplina është ana ime e fortë. Sigurisht profesion me uniformë dhe përgjegjësi, në shërbim të të tjerëve.

Pyetje: Çfarë keni menduar kur është zyrtarizuar lidhja e reperit “Don Xhon” me një shtetase ruse?

Ramiz Lladrovci: Miku im Don Xhoni është personalitet i fuqishëm, talent i jashtëzakonshëm nga Drenasi, atdhetar i paepur, me guxim dhe me shije, djalë që na bën krenar të gjithëve. Sa e di, manekinia është shtetase ruse por me origjinë koreane. Ajo as e bën më të mirë, as më të keq kur dihet se Don Xhoni është artist me intuitë të shkëlqyer dhe i pathyeshëm.

Pyetje: A mendoni se jeni person temperament apo i qetë?

Ramiz Lladrovci: Varësisht nga situata, kur kërkohet përgjegjësi, jam me temperament sepse nuk e duroj vonesën, jo kompetencën dhe demagogjinë. Dua punë, ndryshe, jam miqësor dhe mik për mikun dhe secilin deri sa nuk ma dredh.

Pyetje: Nëse do ta përshkruanit me një fjalë Kadri Veselin, cila do të ishte ajo?

Ramiz Lladrovci: Vizionar i pathyeshëm!


Shtuar 5.01.2022 20:12