S’iu pranua interpelanca me Ramën, Basha: Fshihet pas Blinkenit dhe Spiropalit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u largua nga seanca plenare e kësaj të enjte pasi nuk iu plotësua kërkesa për interpelancë me kryeministrin Edi Rama, për shkak të axhendës së ngjeshur të këtij të fundit.

Në një prononcim të shkurtër për mediat Basha u shpreh se kryeministri Rama nuk mund të fshihet pas sekretarit të Shtetit amerikan, Antony Blinken, dhe as pas Elisa Spiropalit, të cilës i kishte deleguar interpelancën me opozitën.

“Nikolla përdori vizitën e Blinken si justifikim pse Rama nuk i përgjigjet kërkesës së PD për interpelancë urgjente. Numri 2 i qeverisë të tij e akuzoi si përfituesi kryesor i inceneratorëve.

Rama përdori vizitën e Blinken për t’u fshehur nga një detyrim kushtetues, që tregon teatrin e shpifur që lugët këtu. I intereson të mos ketë parlament dhe të mos ketë detyrimin të japë llogari para shiptarëve”, tha kryetari i PD-së, teksa më tej theksoi duke akuzuar kështu kolegët e opozitës se janë bërë “një” me qeverinë dhe se ky skenar i mos zhvillimisht të seancave normalisht është i mirëmenduar nga të dyja palët.

Ndër të tjera, Basha theksoi se javën e ardhshme, Partia Demokratiek do të depozitojë në SPAK një padi duke përfshirë deklaratat e Ahmetajt.

Në kuvend ishte parashikuar këtë të enjte mbajtja e një interpelance të kërkuar nga Partia Demokratike e Lulzim Bashës me kryeministri Edi Rama, lidhur me akuzat që ish-dyshi i kabinetit të tij, Arben Ahmetaj, bëri ndaj tij për aferën e Inceneratorëve. Duke qënë se kryeministri Rama ndodhet në Bruksel për shkak të axhendës, ndërsa sot pret sekretarin e shtetit amerikan, Antony Blinken, interpelancën ia kishte deleguar ministres Elisa Spiropali.


Shtuar 15.02.2024 10:33