Sipërmarrësit në Vlorë të pakënaqur me orarin e ri të muzikës: Ora 23, si një karamele për ne

Edhe mbrëmjen e kësaj të hëne biznesmenët dhe sipërmarrësit e lokaleve në Vlorë kanë mbyllur lokalet e restorantet dhe kanë dalë në protestë.

Ata nuk janë të kënaqur me ndryshimin e orës së muzikës, që u shty me vetëm një orë, nga 22:00 në 23:00.

Në një prononcim për mediat kanë folur disa pronarë. Njëri prej tyre është shprehur se nëse nuk ndryshojnë masat, protesta do të vazhdojë.

“Kjo është Vlora që do kryeministri, me drita fikur dhe pa turistë. Ne e bëmë tonën, tani topi është në fushën e qeverisë. Nëse do që të respektojë Vlorën, të respektojë turzimin, Rama të na japë zgjidhje. Përndryshe protestat do të vazhdojnë”, tha një biznesmen.

Ndërsa një tjetër është shprehur se e gjithë çfarë kërkojnë është muzika deri në orën 00:00 dhe lokalet e hapura deri në 02:00 të mëngjesit.

“Ashtu siç ju kemi paralajmëruar, ky është kulmi i protestës tonë. Ne mbyllëm lokalet përgjatë Lungomares për 24 orë dhe jemi mbledhur me një zë unanim për të përcjellë mesazhin që kjo çështje është një problematikë serioze për ne. Kjo është një indinjatë e sinqertë, jo politike. Kërkojmë heqjen e fashës së orarit ose të kalojë deri në orën 02:00 të mëngjesit. Ora e muzikës deri në 23:00, është si një karamele për ne. Kërkojmë të mbajmë muzikë deri në 00:00. Ne bëmë një protestë shumë të qetë dhe shpresojmë që qeveria të na e kthejë me të njëjtin seriozitet” tha sipërmarrësi./albeu.com

 

 


Shtuar 19.07.2021 21:32