Sinjale alarmi nga Andorra, një futbollisit rezulton me Covid-19 para ndeshjen me Shqipërinë

Alarm për COVID-19 para ndeshjes mes Andorrës dhe Shqipërisë, e për fat të mirë, nuk është në radhët e kuqezinjve.

Të dy kombëtaret kanë kryer testet sipas protokollit të UEFA-s dhe në radhët e ekipit vendas është identifikuar një futbollist pozitiv.

Andorra kishte mbledhur një numër të madh futbollistësh për këtë grumbullim, por nuk kishte publikuar listën përfundimtare të futbollistëve që do të ishin të gatshëm për ndeshjen ndaj kuqezinjve, pikërisht për të evituar probleme si pasojë e COVID-19, duke parashikuar se mund të kishte problem.

Kështu ka ndodhur në fakt, pasi në testin e djeshëm është identifikuar një futbollist i infektuar nëpërmjet tamponëve dhe ai është izoluar menjëherë nga pjesa tjetër e skuadrës.

Kjo situatë ka detyruar që edhe lojtarët e tjerë të bëjnë një tampon të dytë e për fatin e skuadrës vendase, nuk ka pasur të infektuar të tjerë, duke bërë që trajneri Koldo Alvarez të bënte publike listën me 22 emrat e grumbulluar për këtë ndeshje.

Ndërkaq, testet që i janë bërë përfaqësueses shqiptare, për fat të mirë nuk kanë identifikuar të infektuar në radhët e kuqezinjve, duke bërë që Reja të ketë në dispozicion të gjithë futbollistët për takimin e sotëm në orën 20:45.


Shtuar 25.03.2021 12:42