Ndërsa Ligji që detyron sigurimin e banesave nga tërmeti ka hyrë në fazë të avancuar dhe është nxjerrë për konsultim publik, ai përcakton se subjektet do dëmshpërblehen vetëm për dëmet në pronë dhe për asnjë dëmtim tjetër. Më specifikisht, në draft përjashtohen dëmet e tjera të çdo lloji qofshin, me përjashtim të pasurisë së siguruar.
Kështu, do të përjashtohen nga mbulimi i sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet të gjitha lëndimet trupore duke përfshirë edhe vdekjen, ashtu si dhe dëmet morale. Përjashtohen gjithashtu edhe të gjitha sendet brenda banesës së objektit të siguruar.
Ndërkaq, të prekurit do jenë gjithashtu të detyruar të mbulojnë vetë shpenzimet në lidhje me heqjen dhe zhvendosjen e mbeturinave. Po ashtu, skema e sigurimit të detyrueshëm nuk merr përsipër dëmshpërblimet kur bëhet fjalë për humbje financiare nga ndërprerja e biznesit dhe fitimi i munguar.
Tërmeti i nëntorit të vitit 2019 e ka nxitur Qeverinë të sanksionojë me ligj detyrimin për të siguruar banesat nga këto lloj fakeqësish, praktikë e që e aplikojnë vende të ndryshme, si Turqia apo Rumania. Ligji është në fazën e konsultimit publik, dhe ka qëllim mbulimin e humbjeve financiare të pësuara nga i siguruari për shkak të dëmeve të drejtëpërdrejta të ndodhura në pasurinë e siguruar.
Detyrimin për blerjen e policës së sigurimit nga tërmetet, të cilat do të kenë kohëzgjatje një vjeçare, do e ketë çdo subjekt që ka në zotërim një banesë, ashtu si edhe subjektet e banesave sociale me qera, përfshirë banesat në proces legalizimi.
Ligji parashikon krijimin e Fondit Kombëtar të Tërmeteve, i cili do të jetë në pronësi të shtetit dhe do të drejtohet nga Ministri i Financave. Fondi do financohet nga policat e sigurimit, komisionet e marra nga transaksionet e risigurimit i dhe të ardhurat nga investimi. Fondi do jetë përgjegjës për shitjen e policave të sigurimit; administrimin e primeve të sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet; krijimin e përfitimeve nga investimi i të ardhurave nga policat e sigurimit; risigurimin e primit. Funksioni më i rëndësishëm i fondit do jetë trajtimi dhe pagesa e dëmeve që mbulohen nga polica e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet. /Scan tv/