Shqipëria ngelet ekonomia më pak e kredituar në rajon

Shqipëria është ekonomia më pak e kredituar e rajonit në terma realë.

Të dhënat krahasuese të Bankës Botërore tregojnë se në fund të vitit 2020 portofoli i kredisë për sektorin privat kishte një vlerë sa 38.6% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Me këtë shifër, Shqipëria ishte ndjeshëm mbrapa të gjitha ekonomive të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Vendi më i afërt është Serbia, me 45.5% e PBB-së, e ndjekur nga Kosova me 51.6%, Maqedonia e Veriut me 56.2% dhe Bosnje-Hercegovina, me 58.5%. Kryesimin si ekonomia më e kredituar në rajon, në terma realë, në fund të vitit 2020 e mbante Mali i Zi, me 60% të PBB-së.

Po t’i referohemi krahasimit me ekonomitë më të zhvilluara, Shqipëria dhe i gjithë rajoni ynë është ende shumë mbrapa. Për vitin 2020, mesatarja e treguesit të kredisë për sektorin privat ndaj PBB-së në Bashkimin Europian ishte 93%, ndërsa për Eurozonën ky raport ishte 94.2%. Nivelet më të ulëta të kreditimit real në Europë shënohen në ekonomitë e Europës Lindore, si Moldavia, Ukraina dhe Bjellorusia.

Shqipëria ngeli e fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, megjithë një tendencë pozitive të këtij treguesi në vitet e fundit. Kredia ndaj PBB-së në vitin 2020 u rrit në 38.6% të PBB-së, nga 34.1% që kishte qenë në vitin 2019 dhe 33% në vitin 2018. Rritja e viteve të fundit është mbështetur nga një ecuri pozitive e huadhënies dhe zgjerimi i portofolit nominal të kredisë. Megjithatë, një ndikim të madh në rritjen e lartë të vitit 2020 luajti edhe tkurrja e PBB-së për shkak të pandemisë.

Pavarësisht përmirësimit të viteve të fundit, Shqipëria ende është larg plotësimit të hendekut relativ të kreditimit në raport me rajonin. Kjo prapambetje mund të shpjegohet me disa faktorë. Rritja e kredive të këqija pas vitit 2009 u shoqërua me një ngadalësim të kreditimit. Një nga masat që ndërmori Banka e Shqipërisë ishte nxitja e fshirjes së kredive të humbura nga portofolet e bankave, sidomos pas vitit 2015. Fshirja e kredive të humbura dha një efekt në gërryerjen e portofolit total, duke ndikuar në një lloj stanjacioni, deri në vitin 2018. Vetëm në vitet e fundit, portofoli i kredisë po zgjerohet, duke ndikuar pozitivisht në rritjen e raportit të huasë për sektorin privat ndaj PBB-së.

Një karakteristikë tjetër e sektorit bankar në Shqipëri është pasha relativisht e lartë e financimit të huamarrjes së sektorit publik. Një pjesë e madhe e aseteve të sektorit bankar janë të investuara në bono dhe obligacione të qeverisë shqiptare. Këto instrumente përbëjnë rreth 37% të aseteve të sektorit bankar.

Sidoqoftë, tendencat e kreditimit të ekonomisë ishin pozitive edhe gjatë vitit 2021. Portofoli total i kredisë arriti vlerën e 648 miliardë lekëve, me rritje vjetore prej 12%. Kjo ishte rritja më e lartë në më shumë se një dekadë. Por, nga ana tjetër, edhe ekonomia iu kthye ritmeve të shpejta të rritjes vitin e kaluar, duke rifutuar kuotë pas rënies së fortë të pandemisë. Kjo do të bëjë që rritja e kredisë në terma realë të jetë e kufizuar dhe ndjeshëm më e ulët krahasuar me vitin 2020./E.Shehu-Monitor

 


Shtuar 23.03.2022 11:23