Eurodeputetja gjermane Anna Strolenberg ka reaguar lidhur me protestat studentore në Shqipëri, duke ia atribuar kryeministrit Edi Rama përgjegjësinë për situatën e krijuar. Ajo u ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare që të dënojnë dhunën e shfaqur gjatë tubimeve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Strolenberg shprehet se ka parë pamje shqetësuese të ndërhyrjes së policisë ndaj demonstruesve, por edhe video ku disa persona u vënë flakën ndërtesave. Sipas saj, përshkallëzimi i situatës nuk mund t’u atribuohet vetëm policisë apo protestuesve të dhunshëm.
Të lidhura
None found
“Përfundimi im, megjithatë, është i qartë: Edi Rama është shkaku i gjithë kësaj”, deklaron eurodeputetja gjermane.
Ajo e kritikon kryeministrin për mënyrën se si, sipas saj, ka vepruar ndaj protestuesve paqësorë të lëvizjes së Flamingove. Në të njëjtën kohë, Strolenberg e akuzon Ramën se nuk po shfaq vullnet për të luftuar korrupsionin dhe për të realizuar ndryshime thelbësore në vend.
Eurodeputetja nënvizon se e mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por thekson se rruga drejt integrimit duhet të shoqërohet me garantimin e të drejtave themelore të qytetarëve.
“Unë dua që Shqipëria të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Ne jemi të gjithë evropianë. Dhe pikërisht për këtë arsye, ndiej përgjegjësinë të veproj”, shprehet ajo.
Strolenberg bën të ditur se do t’u kërkojë Bashkimit Evropian dhe vendeve të ndryshme të dënojnë dhunën gjatë protestave. Ajo e lidh këtë situatë edhe me procesin e integrimit dhe me raportin e zgjerimit të Komisionit Evropian, i cili, sipas deklaratës së saj, pritet të publikohet më 4 nëntor.
“Nëse Shqipëria dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, duhet të ketë një qeveri që respekton të drejtat themelore të qytetarëve të saj”, thekson eurodeputetja, duke kërkuar që autoritetet shqiptare të përballen me presion.
Reagimi i saj vjen në një periudhë kur protestat studentore dhe tubimet kundër qeverisë janë shoqëruar me përplasje mes policisë dhe demonstruesve. Në qendër të kërkesave vijojnë të jenë reformat, lufta kundër korrupsionit dhe ndryshimet politike.





