EMRAT/ Shpërthehet me eksploziv një makinë në Tiranë, lëndohet shoferi dhe pasagjeri

Orët e para të ditës së sotme, një makinë është shpërthyer me lëndë plasëse në zonën e Unazës së Re në Tiranë. Si pasojë e shpërthimit, janë dëmtuar drejtuesi i automjetit Mikel Harizaj 42 vjeç dhe pasagjeri Serini Dumi 26 vjeç.

“Më datë 07.01.2022, rreth orës 02:50 të mëngjesit, në Unazën e Re, në afërsi të rrethit të Selitës, në rrethana ende të paqarta ka shpërthyer dyshohet lëndë plasëse në mjetin në lëvizje, me drejtues shtetasin M. H., 42 vjeç dhe pasagjer shtetasin S. D., 26 vjeç.

Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri, të cilët ndodhen në spital për ndihmë mjekësore. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.

Mikel Harizaj dyshohet të ketë qenë objektiv i atentatit. Në vitin 2009 ai është arrestuar nga policia e Vlorës për shkak të një konflikti me disa persona në një lokal.

Pas konfliktit me ta, Harizaj ka dalë nga lokali dhe ka shkuar në makinën e tij të cilën e kishte të parkuar aty pranë nga ku ka marrë një granatë dore, dhe i ka sulmuar ata.


Shtuar 7.01.2022 08:18