Shoqërimi i sipërmarrëses në Vlorë, Meta: Dhuna, e papranueshme!

Në lidhje me ngjarjet e ndodhura dje një Vlorë, ku pronarë lokalesh dhe restorantesh dolën në protesë kundër ndalimit të muzikës në orën 22:00, që më pas çoi në përplasje me policinë dhe arrestimin e një sipërmarrësje, ka reaguar sot Presidenti Ilir Meta, përmes një statusi në Facebook.

Meta shkruan se protestat paqësore janë një e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe dhuna e ushtruar dje nga punonjësit e policisë ndaj sipërmarrësve, sidomos ndaj vazjave dhe grave është e papranueshme dhe e dënueshme.

Postimi i Metës:

Duke ndjekur me vëmendje dhe vlerësuar situatën shqetësuese të krijuar mbrëmë në Vlorë, i bëj thirrje Policisë së Shtetit, autoriteteve dhe institucioneve përgjegjëse të dëshmojnë ndjeshmërinë dhe përgjegjësinë e duhur në adresimin e çështjeve, që shqetësojnë biznesin, në përputhje me kuadrin ligjor.

Protestat paqësore janë një e drejtë, që garantohet nga Kushtetuta.

Dhuna e pajustifikuar dhe shporporcionale ndaj sipërmarrësve dhe qytetarëve, në veçanti ndaj grave dhe vajzave është e papranueshme dhe e dënueshme.

Jo arroganca dhe arbitrariteti, por dialogu i sinqert dhe bashkëpunimi i ofruar nga shteti ofrojnë patjetër mundësi për arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme.

Kurrsesi Vlora nuk e meriton një trajtim të tillë./albeu.com


Shtuar 19.07.2021 18:35