Kokainë me charter, si u kap “Jimmy”, bosi shqiptar dhe lidhja që kishte me “Clan del Golfo” dhe “FARC”

DEA amerikane shkatërroi rrjetin e trafikantëve ndërkombëtar të kokainës në Kolumbi, të drejtuar nga shqiptari Agim Çerma. I njohur si “Jimmy”, trafikanti nga Lushnja është vënë në pranga brenda shtëpisë së tij në qytetin Palmira.

Policia kolumbiane ka publikuar edhe pamjet e arrestimit të tij. Bashkë me të janë arrestuar edhe katër bashkëpunëtorë kolumbianë të cilët akuzohen për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Sipas autoriteteve kolumbiane trafikanti shqiptar ishte në krye të veprimtarisë kriminale dhe bashkëpunonte me grupet më të rrezikshme të Kolumbisë.

Çerma merrte paratë nga Europa për blerjen e kokainës dhe më pas garantonte dërgimin e drogës me avionë charter nga fluturimet përmes aeroporteve ndërkombëtare. Për trafikun e kokainës ata përdornin edhe portet detare kolumbiane, ku droga fshihej në kontenierët e mallrave.

Mediat kolumbiane shkruajnë se shqiptari bashkëpunonte me “Clan del Golfo” (kartel kolumbian i drogës) në rajonin e Urabá dhe me “FARC” (Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë) në pjesën jugperëndimore të vendit për të blerë kokainë dhe për ta transportuar, ndërsa kishin korruptuar kontrollorët ajrorë të trafikut për të lëvizur të qetë.
Paratë hynin në Kolumbi përmes ndërmjetësve financierë ndërsa kontrollorët e trafikut ajror dhe personelin e mbikëqyrjes aeronautike, lejonin nisjen e fluturimeve, drejt Shteteve të Bashkuara dhe Europë. Gjatë këtij operacioni policia sekuestroi më shumë se 333 kilogramë kokainë dhe 2 miliardë pesos, rreth 450 mijë euro./abcnews.al

Shtuar 19.07.2021 18:24