Një aksion kundër kultivimit të bimëve narkotike është zhvilluar në qarkun e Shkodrës, ku policia ka asgjësuar me djegie 2098 bimë dhe fidanë kanabisi.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni është shtrirë në fshatrat Ndrejaj dhe Vukël, në kuadër të vijimit të operacionit policor të koduar “Territor i Pastër”.
Të lidhura
None found
Në njësinë administrative Shosh, në fshatin Ndrejaj, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër konstatuan 768 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Gjatë ndërhyrjes në parcelë, në flagrancë u kap dhe u arrestua shtetasi P. M., 53 vjeç, banues në fshatin Ndrejaj.
Po ashtu, pranë banesës së këtij shtetasi, policia gjeti dhe sekuestroi 80 kubikë të dyshuar cannabis sativa.
Në një tjetër rast, në njësinë administrative Kelmend, në fshatin Vukël, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe zbuluan 1250 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Ç., 52 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi u konstatua pranë parcelës ku ndodheshin bimët narkotike.
Ndërkohë, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin K. B., 65 vjeç, me detyrë kryeplak i fshatit Vukël.
Policia e Shkodrës bën me dije se kontrollet po vijojnë me intensitet në të gjithë territorin e qarkut, në bashkëpunim me Njësinë e Sigurisë Publike Shkodër dhe komisariatet në varësi, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme hetimore.
