Shkëmbimet tregtare me Kosovën, Rama: Nuk do t’u kërkohet pasaportë gjësë së gjallë

Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij në Kosovë, Albin Kurti pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive janë ulur në një tryezë diskutimi me përfaqësues të kompanive prodhuese dhe eksportuese shqiptare.

Rama gjatë fjalës së tij tha se marrëveshjet e arritura adresojnë nevojën e lehtësimit të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.

“Është pozitive që në këto vite ka një trend konstant rritës në shkëmbimet tona tregtare, por ne besojmë që potenciali është ende më i madh dhe përtej asaj që i takon biznesit është detyra jonë të realizojmë shkëmbime tregtare. Edhe sot një pjesë e marrëveshjeve të bëra adresojnë nevojën e lehtësimit të këtyre shkëmbimeve. Është një punë e nisur qysh prej disa vitesh midis administratave doganore. Por tani kemi një plan veprimi të përbashkët. Ka nevojë për përmirësime të mëtejshme.

Qysh në kontaktin e parë edhe pastaj në takimin e parë më të strukturuar të vizitës sime në Prishtinë, e kemi vendosur këtë çështje si një nga prioritete e punës së dy qeverive.

Nga ana tjetër ne besojmë se një marrëveshje tjetër e firmosur sot për lehtësimin e tregtisë mes pakëve do të bëjë lehtësimin e mëtejshme të të gjithë procesit të procedimit në doganë. Kryerja e procedurave dhe kontrollet e vendit tjetër për mallrat nga personeli doganor i këtij vendi do të vendosen pranë zonave doganore të vendit pritës. Kjo është kërkesë e kahershme e juaja. Ashtu edhe mallrat e fruta perimeve do të ketë lehtësim të importit. Do të realizojmë atë që është kërkesa legjitime e çdo transportuesi të tyre mallrave delikate.  Për barrierat tarifore është bërë progres, por ka akoma problematika”, tha Rama.

Rama u ndal dhe te njohja e certifikatave veterinare, ku me nota humori tha se BE nuk ua integron delet, por kjo nuk i pengon të integrojnë delet e njëri-tjetrit.

“Po e mbyll me njohjen e ndërsjelltë të certifikatave veterinare. Mirë problemin që kemi me BE, që nuk na integron delet tona por që ne të mos integrojmë delet e njëri-tjetrit. Për të çuar delet nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas të kemi të njëjtin problem që kemi për t’i çuar në BE. Këtë të keqe e kemi hequr nga rruga. Me njohjen e certifikatave të gjitha produktet me origjinë shtazore, madje dhe ato jo shtazore, do të jenë në një regjim të liberalizuar. Nëse e merr në Kosovë certifikatën është e vlefshme edhe në Shqipëri. Nuk do t’i kërkohet pasaportë gjësë së gjallë”, u shpreh Rama./albeu.com


Shtuar 26.11.2021 14:31

Tags: