Shkatërrimi i  4 grupeve kriminale, arrestohen edhe 3 persona të dënuar për drogë

Policia, në kuadër të operacionit të koduar “Limit”, i finalizuar 3 vjet më parë, si rezultat i të cilit u shkatërruan 4 grupe kriminale që ushtronin veprimtari në fushën e narkotikëve, ka arrestuar sot 3 shtetas të shpallur në kërkim, të cilët janë dënuar me burg për drogë.

Njoftimi i policisë:

DVP Korçë

Vijon operacioni policor i koduar “Limit”, i finalizuar 3 vjet më parë, nga Policia e Shtetit, për goditjen e 4 grupeve kriminale në fushën e narkotikëve.

Ndalohen 3 shtetas të shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë dhe Komisariatit të Policisë Kolonjë, në kuadër të operacionit të koduar “Limit”, i finalizuar 3 vjet më parë, si rezultat i të cilit u shkatërruan 4 grupe kriminale që ushtronin veprimtari në fushën e narkotikëve, bënë ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë, për ndalimin e shtetasve në kërkim:

-B. Z., 58 vjeç, banues në fshatin Skorovot, Kolonjë;

-Gj. M., 35 vjeç, banues në fshatin Moravë, Korçë;

-R. T., 34 vjeç, banues në fshatin Starje, Kolonjë.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e datës 18.05.2022, ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i cili parashikon se shtetasit B. Z. i kanë mbetur për të vuajtur edhe 2 vjet e 11 muaj burg, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, ndërsa 2 shtetasve të tjerë u kanë mbetur për të vuajtur secilit nga 4 muaj burg, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme./albeu.com

Shtuar 22.07.2022 14:14