Shfuqizoi ligjin special për Teatrin, zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Zbardhet vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese për godinën e Teatrit Kombëtar. Në vendimin e publikuar, Kushtetuesja sqaron mes të tjerash se baza ligjore e kësaj VKM-je nuk autorizon kalimin e pronësisë nga Këshilli i Ministrave te njësitë e qeverisjes vendore, por vetëm kalimin në përgjegjësi administrimi. Ndaj shtohet se godina dhe trualli duhet që të transferoheshin me ligj dhe jo me VKM në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Kjo pasi institucioni i qeverisjes vendore nuk mund të gëzojë të drejta pronësie dhe të vendosë për objekte të kësaj natyre që i kapërcejnë kufijtë e kompetencës vendore.

“Shfuqizimi i vendimit nr. 377, datë 08.05.2020 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr. 1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë” (VKM nr. 377/2020), si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare. Pezullimin e zbatimit të këtyre akteve deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese,”-thuhet ndër të tjera në vendimin e publikuar.

Njoftimi i plotë i Kushtetueses:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancat plenare publike të datave 03.06.2021, 15.06.2021 dhe 16.06.2021 çështjen me kërkues Presidentin e Republikës së Shqipërisë, me objekt:

– Shfuqizimi i ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”” (ligji nr. 37/2018), si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.

– Shfuqizimi i vendimit nr. 377, datë 08.05.2020 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr. 1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë” (VKM nr. 377/2020), si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.

– Shfuqizimi i vendimit nr. 50, datë 14.05.2020 të Këshillit Bashkiak Tiranë, Bashkia Tiranë, “Për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar” (VKB nr. 50/2020), si i papajtueshëm me Kushtetutën.

– Pezullimin e zbatimit të këtyre akteve deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se:

– Ligji nr. 37/2018 cenon:

Lirinë e veprimtarisë ekonomike të sanksionuar nga neni 11 i Kushtetutës në raport me nenin 17 të saj;Parimin e shtetit të së drejtës të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës në raport me nenin 3 të saj, në drejtim të procesit të vlerësimit të identitetit dhe të trashëgimisë kombëtare nga institucionet përkatëse;

Parimin e decentralizimit dhe të autonomisë vendore të sanksionuar në nenin 13 të Kushtetutës.

– VKM-ja nr. 377/2020 cenon:

Parimin e shtetit të së drejtës të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës.

Ndërsa për sa i përket VKB-së nr. 50/2020 nuk u formua shumica prej 5 votash e parashikuar nga neni 73, pika 4, i ligjit nr. 8577/2000, në lidhje me juridiksionin e kësaj Gjykate për shqyrtimin e saj.

Për këto arsye Gjykata Kushtetuese,

VENDOSI:

Pranimin pjesërisht të kërkesës.
Shfuqizimin e ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar””, si i papajtueshëm me Kushtetutën.
Shfuqizimin e vendimit nr. 377, datë 08.05.2020 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”, si i papajtueshëm me Kushtetutën.

Rrëzimin e kërkesës për shfuqizimin e vendimit nr. 50, datë 14.05.2020 të Këshillit Bashkiak Tiranë, Bashkia Tiranë, “Për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën.

Pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 37/2018 dhe VKM-së nr. 377/2020 deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Shtuar 16.07.2021 16:53