Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, denoncoi sot nga blloku i sigurisë në Komisariatin Nr. 3 të Policisë në kryeqytet dhunën që, sipas tij, policia ka ushtruar ndaj të rinjve të arrestuar.
Shehaj tha se në bllokun e sigurisë te Mine Peza mbahen pothuajse 200 protestues. Sipas tij, afro 90% e tyre janë 18-21 vjeç, ndërsa pothuajse 15 janë të mitur. Ai i cilësoi të tmerrshme kushtet e mbajtjes së tyre, duke thënë se në qeli janë vendosur katër persona për një shtrat, mes tyre edhe 15-vjeçarë e 16-vjeçarë.
Të lidhura
None found
Pas takimit me të arrestuarit, kreu i Mundësia tha se disa prej tyre i kishin folur për një dhomë në Ministrinë e Arsimit ku, sipas rrëfimeve të tyre, ishin dhunuar. Ai u shpreh se disa përmendnin dhjetëra protestues që kishin kaluar aty, ndërsa të tjerë flisnin për qindra.
Shehaj tregoi se një prej të rinjve kishte sy të nxirë dhe hundë të fryrë e të thyer, por nuk kishte marrë shërbim mjekësor. Ai tha se kërkoi thirrjen e ambulancës dhe ndihmë të menjëhershme shëndetësore për të paktën katër nga personat që ndodheshin brenda.
Duke e cilësuar të papranueshme atë që, sipas tij, po u ndodh të rinjve dhe protestuesve, Shehaj i bëri thirrje qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama të ndalin menjëherë dhunën ndaj studentëve. Ai paralajmëroi se do të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.







