Teksa lufta në Ukrainë vijon prej rreth 2 muajsh, bisedimet e paqes po vijojnë ende, duke u përfshirë edhe palë të treta.
Bëhet fjalë për OKB-në e cila po ndërmjetëson për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, do të takohet me liderët rusë dhe ukrainas javën e ardhshme.
Të martën, Guterres pritet të takohet me presidentin rus Vladimir Putin dhe të ketë një takim pune dhe drekë me ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov në Moskë.
Më pas ai do të shkojë në Kiev të enjten për të takuar Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe Ministrin e Jashtëm Dmytro Kuleba.
Shefit të OKB-së i është bërë presion kohët e fundit për të marrë një rol më aktiv në ndërmjetësimin e konfliktit.
Në letrat drejtuar të dy udhëheqësve përmes misioneve të tyre në OKB, ai bëri thirrje për diskutime të “hapave urgjente për të sjellë paqen në Ukrainë dhe të ardhmen e multilateralizmit”.
Si Rusia ashtu edhe Ukraina janë anëtarë themelues të OKB-së./albeu.com/