Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka njoftuar të martën se brenda dy ditëve Serbia do të nënshkruajë kontratën e parë me Emiratet e Bashkuara Arabe për blerjen e dronëve kamikazë.
Ai u tha gazetarëve në Abu Dhabi se ai “shpreson” që pas pesë deri në gjashtë muajsh, dronët e parë kamikazë do të arrijnë në Forcat e Armatosura serbe.
Pas vizitës së Panairit të Armëve dhe Pajisjeve Ushtarake 2023, ai shtoi se në ditët në vijim pret përshkallëzim të konfliktit në Ukrainë, që sipas tij, do ta vështirësojë edhe më shumë pozitën e Serbisë.
“Ne po përballemi me një periudhë sfiduese, dhe nga deklaratat e presidentit [rus], Vladimir Putin, duket qartë se ai do të vazhdojë me shumë ashpërsi luftën në Ukrainë. Për disa ditë, pres ndryshime të mëdha në fushëbetejë dhe në veprime të mëtejshme politike ndaj Serbisë nga perëndimi dhe nga faktorë të tjerë ndërkombëtarë”, tha Vuçiç.
Në një fjalim drejtuar kombit më 21 shkurt, Putini akuzoi vendet perëndimore për nxitjen e luftës për ta shkatërruar Rusinë.
Ai tha se Rusia kishte bërë gjithçka për të shmangur luftën, por se Ukraina, e mbështetur nga Perëndimi, po planifikonte të pushtonte Krimenë.
Putini tha gjithashtu se Rusia dëshiron ta zgjidhë konfliktin në Ukrainë në mënyrë paqësore, “mirëpo mbrapa shpinës sonë ka qenë duke u përgatitur një skenar i vështirë”.
Pushtimi rus i Ukrainës – që ka nisur më 24 shkurt 2022 – mbushë një vit këtë javë./REL/