SHBA-Iran, 18 korriku data e raundit të ardhshëm të bisedimeve, fondet e ngrira mbeten të kushtëzuara nga Hormuzi

Raundi i ardhshëm i bisedimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit pritet të mbahet më 18 korrik, sipas raportimeve mbi zhvillimet më të fundit mes dy vendeve.

Pas mbylljes së negociatave teknike dyditore të zhvilluara në Doha të Katarit, Uashingtoni i ka bërë të ditur qartë Teheranit se nuk do të tolerojë asnjë ndryshim të statusit aktual në Ngushticën e Hormuzit.

Të lidhura

None found

Sipas burimeve të cituara nga Al Arabiya dhe Al Hadath, SHBA e sheh sjelljen e Iranit ndaj kësaj rruge detare me rëndësi strategjike si testin e parë të përkushtimit të tij për të zbatuar memorandumin e mirëkuptimit të firmosur në qershor. Për administratën amerikane, çdo tentativë për të ndryshuar statusin e ngushticës do të konsiderohej shkelje e drejtpërdrejtë e marrëveshjes.

Po këto burime bëjnë me dije se Uashingtoni po ndjek nga afër çdo veprim të Iranit në zonë dhe se çdo rritje e tensioneve do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zbatimin e dakordësive të arritura mes palëve.

Çështja e lirimit të fondeve të ngrira iraniane, sipas SHBA-së, është e lidhur me respektimin nga Teherani të kushteve të memorandumit të mirëkuptimit, në mënyrë të veçantë me garantimin e sigurisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

Sipas të njëjtit burim, Iranit i është bërë e qartë se çdo hap përpara në dosjen e fondeve të ngrira do të varet si nga zbatimi i plotë i memorandumit, ashtu edhe nga veprimet konkrete të tij në terren, sidomos për sa i takon sigurisë së kalimit detar në Hormuz.

Nga ana tjetër, komanda e përbashkët e forcave të armatosura iraniane deklaroi se prania e vazhdueshme ushtarake e SHBA-së në hapësirën ajrore mbi Ngushticën e Hormuzit përbën një kërcënim për sigurinë rajonale.

Ajo paralajmëroi gjithashtu se çdo ndërhyrje amerikane në rajon do të përballet me një “përgjigje të menjëhershme dhe vendimtare”.

Autoritetet ushtarake iraniane thanë po ashtu se të gjitha anijet duhet të respektojnë korridoret detare të përcaktuara nga Teherani, në mënyrë që të garantohet kalimi i sigurt i tyre nëpër ngushticë.

Tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit u thelluan në fund të javës së kaluar, pasi Irani akuzoi SHBA-në për shkelje të armëpushimit dhe për sulme ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit.

Edhe Shtetet e Bashkuara, nga ana e tyre, akuzuan Iranin për sulme ndaj anijeve që po kalonin nëpër këtë korridor detar strategjik.

Pas këtyre tensioneve, SHBA ndërmori sulme ndaj objektivave ushtarake në jug të Iranit, ndërsa Teherani deklaroi se kishte goditur objekte të lidhura me SHBA-në në Kuvajt dhe Bahrein.

Irani vijon të mbrojë qëndrimin se ka të drejta sovrane mbi menaxhimin e tranzitit në Ngushticën e Hormuzit dhe këmbëngul se ka të drejtë të vendosë tarifa për shërbimet që ofron, një pozicion që refuzohet nga Shtetet e Bashkuara.

Memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar në qershor nga Uashingtoni dhe Teherani parashikon liri të plotë lundrimi në Ngushticën e Hormuzit, pa tarifa dhe pa kufizime, për një periudhë 60-ditore.

Megjithatë, Teherani e ka interpretuar këtë marrëveshje si një fazë të parë drejt një roli më të zgjeruar në administrimin e lundrimit në të ardhmen, me synimin për të ngritur një sistem tarifash në bashkëpunim me Sulltanatin e Omanit.

Ndërkohë, Omani ka theksuar qartë se është kundër vendosjes së tarifave për transportin detar ndërkombëtar, duke vlerësuar se një hap i tillë do të binte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare detare.


Shtuar 2.07.2026 16:36