Sekretari amerikan i Mbrojtjes infektohet me COVID-19

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin njoftoi të dielën se është infektuar me COVID-19. Njoftimi vjen ndërsa varianti shumë ngjitës Omicron po përhapet në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

Nëpërmjet një deklarate, shefi i Pentagonit njoftoi se kishte simptoma të lehta të sëmundjes dhe se do të qëndronte në shtëpi për pesë ditët e ardhshme.

Zoti Austin tha se është plotësisht i vaksinuar dhe se kishte marrë edhe një dozë përforcuese, dhe kjo ishte arsyeja sipas tij që infeksioni ishte shfaqur tek ai në një formë të butë.

“Vaksinat funksionojnë dhe do të vazhdojnë të jenë kërkesë shëndetësore në ushtri. Unë do të vijoj të inkurajoi të gjithë ata që kualifikohen për një dozë përforcuese ta marrin një të tillë”, thuhej gjithashtu në deklaratën e sekretarit të Mbrojtjes.

Zoti Austin tha se ishte takuar së fundmi me Presidentin Joe Biden më 21 dhjetor, më shumë se një javë para se t’i fillonin simptomat, dhe se ai kishte rezultuar negativ për virusin mëngjesin e asaj dite.

Sekretari i Mbrotjes tha se do të vazhdojë të kryejë detyrat e të marrë pjesë në takime e diskutime virtuale, për aq sa është e mundur.

Zoti Austin është zyrtari më i fundit i lartë amerikan që infektohet me COVID-19.

Së fundmi disa ligjvënës kanë rezultuar pozitivë për virusin ndërsa në tetor Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki, njoftoi se ishte infektuar me COVID-19./voa


Shtuar 3.01.2022 15:52