Sekretari amerikan i Mbrojtjes: Agresioni rus ka vrarë dhe plagosur njerëz të pafajshëm

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha se pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga i Putin ka vrarë dhe plagosur tashmë njerëz të pafajshëm dhe ka detyruar më shumë se 1.5 milion njerëz të iknin nga vendi i tyre.

Austin i bëri këto deklarata ndërsa po fliste përpara një takimi dypalësh me Ministrin e Mbrojtjes të Finlandës Antti Kaikkonen në Pentagon. Austin falënderoi gjithashtu Finlandën për dërgimin e ndihmës në Ukrainë në mes të krizës.

“Vendimi i qeverisë suaj për të dërguar ndihmë sigurisht që do të ndihmojë popullin e guximshëm të Ukrainës, dhe unë e di se ata janë mirënjohës për këtë,” tha Austin.

Të dy udhëheqësit po takohen një javë pasi Presidenti i SHBA Joe Biden u takua me Presidentin e Finlandës Sauli Niinistö në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar.

Austin tha se të dy do të diskutojnë “forcimin” e marrëdhënieve dypalëshe midis SHBA-së dhe Finlandës dhe “fillimin e një procesi të ri të bashkëpunimit dypalësh të mbrojtjes duke përfshirë hapësirën dhe luftën e parregullt”.

Kaikkonen tha se kriza në Ukrainë nuk është një krizë evropiane, por një “krizë globale”.

“Lufta në Ukrainë ka implikime të thella për sigurinë evropiane, për BE-në, për NATO-n, për Finlandën. Por siç kanë theksuar të dy presidentët tanë, kjo nuk është një krizë evropiane, kjo është një krizë globale”, tha Kaikkonen. “Në këto kohë shqetësuese, Finlanda është e gatshme të punojë së bashku me Shtetet e Bashkuara.”/albeu.com


Shtuar 9.03.2022 20:41