Një shpërthim i ndodhur të hënën në mbrëmje, rreth orës 21:00, përpara hyrjes së një ndërtese banimi në Principatën e Monakos, ka lënë të plagosur rëndë Vadim Ermolaev dhe gruan e tij.
Sipas autoriteteve, personi i dyshuar është filmuar nga kamerat e sigurisë duke lënë një çantë shpine, e cila ka shpërthyer në momentin kur ai po largohej në këmbë drejt Beausoleil, në territorin francez.
Të lidhura
None found
Forcat e rendit njoftojnë se kërkimet për autorin e dyshuar janë ende në vazhdim, ndërsa dyshohet se ai është arratisur në drejtim të Francës.
Vadim Ermolaev, 58 vjeç, oligark me origjinë ukrainase, i cili ka hequr dorë nga shtetësia ukrainase dhe është pajisur me pasaportë qipriote, ndodhet në spital në gjendje shumë të rëndë bashkë me partneren e tij. Ermolaev ka marrë djegie të rënda, ndërsa edhe gruaja e tij paraqitet në gjendje kritike për jetën.
Edhe njëri prej katër fëmijëve të tij, 13-vjeçar, mbeti i plagosur, por me lëndime më të lehta.
Sipas raportimeve, pajisja që shpërtheu kishte brenda fishekë plumbi.
“Me sa di unë, është hera e parë në histori që një akt i këtij lloji ndodh në Principatë”, deklaroi kreu i qeverisë së Monakos, Christophe Mirmand.
Autoritetet kanë sqaruar se sjellja e familjes para se të hynte në banesë nuk linte të kuptohej ndonjë shqetësim. Sipas tyre, ata dukeshin të qetë dhe nuk tregonin kujdes të veçantë. Deri tani nuk ka raportime për kërcënime konkrete ndaj Ermolaev ose familjes së tij.
Ndërtesa ku ndodhi shpërthimi ka gjashtë apartamente, ndërsa në momentin e ngjarjes, tre të plagosurit ishin të vetmit persona që ndodheshin brenda. Shkallët e saj kanë pësuar dëmtime të mëdha nga shpërthimi dhe godina është mbuluar me gjak.
Ermolaev, i renditur i 23-ti në listën e “Forbes” të 100 njerëzve më të pasur në Ukrainë, përshkruhet nga “Nice-Matin” si një frekuentues i rregullt i kazinove në Rivierën Franceze, ku lëviz edhe me një Bentley. Ai është gjithashtu pronar i një jahti dhe i një vile pranë Saint-Jean-Cap-Ferrat.
Oligarku po hetohet në kuadër të një çështjeje të gjerë për pastrim parash që përfshin Estoninë dhe Ukrainën. Që nga viti 2023, ai është vendosur nën sanksione nga qeveria ukrainase për shkak të aktivitetit të Grupit të tij “Alef” në Krimenë e pushtuar dhe lidhjeve të dyshuara me Rusinë.
Në momentin kur hoqi dorë nga shtetësia ukrainase për të marrë atë qipriote, ai pati deklaruar: “Dua të përfitoj nga mbrojtja ndërkombëtare. Sistemi gjyqësor ukrainas, për ta thënë butë, është larg të qenit i përsosur dhe administrata tatimore nuk është objektive”.
Pavarësisht kësaj, ai ka vazhduar aktivitetin në Ukrainë dhe në vitin 2021, përmes kompanisë “Alef”, ka rifilluar ndërtimin e një kompleksi pasurish të paluajtshme në Dnipro. Po në të njëjtin vit, ai ka inauguruar termocentralin më të madh të biomasës në vend.
Sipas shërbimeve ukrainase, Ermolaev konsiderohet pjesë e të ashtuquajturit “batalioni i Monakos”, emërtim që i referohet grupit të miliarderëve që u zhvendosën në Principatë pas shpërthimit të luftës në Ukrainë.
