Mariglen Qato, ish-drejtori i Inspektoratit të Mbrojtjes së Mjedisit pranë Bashkisë së Tiranës, është liruar nga burgu.
Gjykata e Apelit të Posaçëm vendosi t’ia zbusë masën e sigurisë, duke e ndryshuar nga “Arrest në burg” në “Arrest shtëpie”. Sipas këtij vendimi, Qato duhet të largohet nga qelia dhe të qëndrojë në arrest shtëpie.
Të lidhura
None found
Për afro dy vite, ai ka qenë nën masën e sigurisë “arrest në burg” në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen e njohur si “5D”.
Me vendimin e shpallur këtë të martë, Apeli pranoi ankimimin e paraqitur nga Qato dhe zëvendësoi masën e mëparshme me “arrest në shtëpi”.
Disa ditë më parë, SPAK lexoi pretencën në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, ku kërkoi 9 vite burg për Qaton. Ai akuzohet për korrupsion pasiv në katër raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Qato është nën dyshim në çështjen e dosjes “5D”, të hetuar nga SPAK dhe të dërguar për gjykim, ku ai është i pandehur bashkë me zyrtarë të tjerë të Bashkisë Tiranë.
Pas këtij zhvillimi, në dosjen “5D” nuk ka më asnjë të pandehur që ndodhet në qeli, ndërsa procesi gjyqësor ka hyrë në fazën e konkluzioneve të mbrojtjes së të pandehurve.
