Një vatër zjarri u regjistrua mëngjesin e sotëm në lokalitetin Vlladaja, në Komunën e Dojranit, dhe sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), ajo vazhdon të mbetet aktive.
Të lidhura
None found
Siç bëhet e ditur nga njësia e QMK-së në Gjevgjeli, rasti është denoncuar rreth orës 10:00. Në terren janë angazhuar dy mjete zjarrfikëse të shoqatës vullnetare të zjarrfikësve “Dojran” me pesë zjarrfikës, si edhe një automjet i posaçëm i Njësisë së Zjarrfikësve të Gjevgjelisë me tre zjarrfikës.
Në zonë ndodhet edhe një automjet policor, i cili po siguron vendin e ngjarjes.
Sipas Departamentit Qendror të Zjarrfikësve në Gjevgjeli, flakët kanë përfshirë një mal me dru bredhi, ndërsa era po ndikon që zjarri të zgjerohet në disa drejtime. Deri në këto momente ai nuk është përhapur në territorin e Greqisë fqinje, megjithatë mbetet shumë pranë vijës kufitare.
Për ngjarjen kanë raportuar edhe mediat greke në Kukushin fqinj, të cilat bëjnë të ditur se zjarri shihet edhe nga ana e kufirit të tyre.

