Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka çuar për gjykim 8 persona të akuzuar për një skemë të gjerë falsifikimi dhe tjetërsimi pronash në vijën bregdetare të Durrësit.
Sipas SPAK, këta të pandehur dyshohet se kanë vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, i cili ka manipuluar dokumentacionin e pronësisë për të përfituar dhe më pas shitur sipërfaqe të mëdha toke shtetërore në zonat Shijak, Kepi i Rodonit, Lalëz, Bizë dhe Shetaj.
Të lidhura
None found
Hetimet kanë nxjerrë në pah se Aleksandër Laho dhe Vullnet Muça dyshohet të kenë qenë ideatorët dhe drejtuesit e kësaj skeme. Sipas dosjes, ajo përfshinte falsifikimin e Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), regjistrime të kundërligjshme në kadastrën e Durrësit dhe më pas kalimin e pronave nëpërmjet shitjes te persona të tretë.
Nga hetimi rezulton se në këtë mekanizëm janë përfshirë edhe punonjës dhe ish-punonjës të administratës kadastrale, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar në futjen dhe ndryshimin e dokumenteve në arkivë, si edhe në sistemet elektronike të regjistrimit të pasurive.
Sipas SPAK, Agron Bejdolli ka pasur rol ekzekutues dhe koordinues, duke ndjekur procedurat e regjistrimit dhe kontaktet me noterë dhe institucione. Ndërsa juristët Mikel Zaho dhe Artur Isaku dyshohet se kanë kryer regjistrime dhe kanë prodhuar dokumente të falsifikuara në sistemin e kadastrës.
Të pandehur të tjerë akuzohen se kanë marrë pjesë në shitjen e pasurive, në përfitime financiare dhe në veprime që lidhen me dokumente të falsifikuara.
Sipas përshkrimit të hetimit, bëhet fjalë për një skemë të shtrirë në kohë, ku janë përdorur dokumente të ndryshuara, regjistra të arkivave historike dhe ndërhyrje në sistemet e regjistrimit të pronave, me synimin që prona shtetërore të kalonte në mënyrë të paligjshme në pronësi private.
SPAK bën me dije se janë tjetërsuar të paktën 687,798 metra katrorë tokë në zonën bregdetare të Durrësit, me një vlerë të përllogaritur rreth 16.8 milionë euro.
Për këtë çështje, Gjykata e Posaçme ka vendosur edhe sekuestrimin preventiv të disa pasurive të paluajtshme që lidhen me hetimin.
Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për të identifikuar bashkëpunëtorë të tjerë të mundshëm dhe për të verifikuar episode të tjera të dyshuara.
Në të njëjtën kohë, SPAK ka kërkuar pushimin e pjesshëm të çështjes për një nga të hetuarit, sa u takon disa akuzave të veçanta.
Të gjithë të pandehurit prezumohen të pafajshëm deri në daljen e një vendimi përfundimtar nga gjykata.
