Çmimet e reja të energjisë elektrike dhe ngrohjes do ta rrisin më tej shportën minimale të konsumatorit. Kjo do të thotë se do të ulet fuqia blerëse e qytetarëve, shkruan Alsat.
Në formimin e shportës konsumatore, që përmban nevojat elementare të një familje prej katër anëtarëve, kostoja mesatare për një familje është pothuajse 11 mijë denarë. 8500 denarë prej tyre janë për faturat e energjisë elektrike, ujit, ngrohjes dhe shërbimeve të telekomunikacionit.
Përllogaritjet e Alsat thonë se me vendimin për rritjen e çmimit të rrymës për 9,4 për qind, qytetarët do të duhet të paguajnë rreth 300 denarë më shumë nëse fatura e tyre është deri në tre mijë denarë, ose rritja është 100 denarë për çdo mijë denarë.
“Por, faturën e shtrenjtuar të energjisë elektrike do ta ndiejnë edhe amvisëritë, që rregullisht e përdorin tarifën e lirë ditore. Sipas autoriteteve, qytetarët që kanë shfrytëzuar rrymën e lirë nga ora 14 deri në 16, në raport me ata që nuk kanë pasur mundësi për arsye të caktuara, fatura e tyre ka qenë më e ulët për rreth pesë për qind. Kjo do të thotë se për ato familje rritja e faturave të energjisë elektrike mund të kalojë 15 për qind”, raporton gazetari i Alsat, Ile Petrevski.
Goditje shtesë për qytetarët nga sot është çmimi i ri i ngrohjes qendrore. Faturat e qytetarëve të Shkupit do të jenë më të larta për 14%, gjegjësisht për një faturë për energji termike prej 2000 denarë, tani do të duhet të paguajnë plus 280 denarë. Shpenzimet e tilla të reja për qytetarët janë motiv shtesë, për sindikatat që të insistojnë në rritje të menjëhershme të pagës minimale nga 18 mijë denarë, e bashkë me të edhe pagat tjera. /Alsat.mk/