Rrëzohet avioni ushtarak gjatë stërvitjeve në detin Mesdhe, 5 të vdekur

Një avion ushtarak amerikan u rrëzua gjatë stërvitjeve në Detin Mesdhe të premten në mbrëmje, sipas Komandës Evropiane të SHBA-së.

Pesë pjesëtarë të shërbimit amerikan humbën jetën.

Në një deklaratë, Komanda Evropiane nuk tha se çfarë lloj avioni u rrëzua dhe nuk e bëri të ditur identitetin e viktimave.

“Në respekt për familjet e prekura, ne nuk do të japim informacione të mëtejshme për personelin e përfshirë në këtë incident”, thuhet në deklaratë.

Shkaku i aksidentit po hetohet. Komanda Evropiane theksoi se incidenti ndodhi gjatë një stërvitje dhe nuk kishte lidhje me luftimet e Izraelit në Gaza apo luftimet përgjatë kufirit Izrael-Liban.

“Mund të themi përfundimisht se fluturimi i avionit ishte thjesht i lidhur me stërvitjen dhe nuk ka indikacione për aktivitet armiqësor”, thuhet në deklaratë./Albeu.com


Shtuar 12.11.2023 17:41