Rrëzimi i helikopterit në Iran/ Presidenti Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm humbin jetën, asnjë i mbijetuar nga ata që ishin në bord

Pas rrëzimit të helikopterit në provincën malore të Azerbajxhanit Lindor, konfirmohet vdekja e presidentit të Iranit, Ebrahim Raisi dhe ministrit të Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian.

Media shtetërore iraniane Press TV dhe agjencitë e lajmeve Tasnim dhe Mehr, raportuan se të gjithë personat në bord kanë ndërruar jetë.

Reuters raportoi gjithashtu vdekjen e presidentit, duke cituar një zyrtar të lartë.

Presidenti Raisi, ministri i jashtëm dhe të gjithë pasagjerët në helikopter u vranë në përplasje”, tha zyrtari për Reuters, duke kërkuar të mos përmendet emri për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

Kreu i Gjysmëhënës së Kuqe të Iranit, Pir-Hossein Kolivand, tha më herët të hënën se nuk kishte shenja jete të atyre që udhëtonin në bordin e helikopterit.

Helikopteri me nëntë persona hasi probleme në mjegull të dendur, ndërsa kthehej nga një udhëtim në kufirin Iran-Azerbajxhan, thanë zyrtarët iranianë të dielën.


Shtuar 20.05.2024 07:29