Rrëmbimi i 3-vjeçarit në Durrës/ Kërkimet shtrihen edhe në Kosovë

Pavarësisht se kanë kaluar 7 ditë nga “zhdukja” e fëmijës 3-vjeç, me origjinë nga Kukësi dhe banues në Durrës, policia vijon ende kërkimet për gjetjen e tij.

Në kërkim janë shpallur gjyshja dhe vëllai i saj, ndërkohë që ditën e djeshme, Gjykata e Durrësit la në arrest me burg gjyshin e fëmijës dhe kunatin e tij.

Policia dhe Prokuroria e Durrësit, por edhe ajo e Kukësit, pasi ngjarja tashmë ka dy vendngjarje, dyshojnë se gjyshja nga i ati i të miturit e ka rrëmbyer të voglin në bashkëpunim me dy vëllezërit e saj, ku tashmë njëri është në burg dhe tjetri në kërkim.

Historia dramatike që ka më shumë se një javë që luhet në kurriz të një fëmije vetëm 3-vjeç, ka bërë që të shtrihet edhe në territorin e Kosovës, pasi vëllezërit e gjyshes së të miturit janë banues në Has e për pasojë dyshohet se fëmija të jetë kaluar në Kosovë.

Policia dhe prokuroritë kanë kërkuar bashkëpunimin e autoriteteve të Kosovës, ndërkohë që janë marrë edhe të dhëna për lidhjet familjare të vëllezërve të Bahrije Gjunit në disa qytete të Kosovës.

Po dje ka folur publikisht xhaxhai i të voglit, i cili ka mohuar në mënyrë kategorike që fëmija të jetë rrëmbyer për t’i bërë keq, por nëna e tij e ka marrë nga malli për të birin që i ka ndërruar jetë rreth një vit më parë.

Sipas tij, nëna e djalit, pra kunata e tij kishte kërkuar të largohej nga shtëpia e vjehërrisë për të nisur jetën e saj e për pasojë, gjyshërit e fëmijës kanë vendosur të mbajnë djalin, me idenë se ajo mund të martohet dhe fëmija i djalit të tyre të ndjerë, nuk ka pse jeton në një familje tjetër.

Mirëpo, nëna e vogëlushit ka tjetër version në lidhje me ‘rrëmbimin’ e fëmijës, pasi ajo ka pretenduar gjithnjë se ka arritur marrëveshje me ta për ta parë sa herë të duan fëmijën.

Por në fakt policia dhe prokuroria ende nuk e kanë mësuar zanafillën e konfliktit, për shkak të rëndësisë që i është kushtuar gjetjes së të voglit.

VENDIMI I GJYKATËS

Gjykata e Durrësit ka lënë në burg Rexhep Gjunin, gjyshin e 3-vjeçarit që u zhduk 7 ditë më parë në zonën e ishKënetës në Durrës. Nëna e la 3-vjeçarin me gjyshërit për disa orë, por më pas ai është zhdukur dhe ende nuk ka asnjë gjurmë prej tij.

Po ashtu, gjykata ka dhënë masën arrest me burg për Arben Selaj, kunatin e gjyshit. Ndërkohë, në kërkim është gjyshja me vëllanë tjetër të saj.

Mbrojtësja ligjore e të arrestuarve bëri me dije se “u mbyll seanca për caktimin e masës së sigurimit. Në kushtet kur kemi të bëjmë me një të mitur nuk mund të thuhet asgjë për arsye se është sekret hetimor, tani do vazhdojë prokuroria hetimet.

Masa e sigurimit, arrest me burg, nuk ka ndryshuar asgjë”! Gjykata u shpreh me një vendim konkret duke dhënë edhe detajet e këtij vendimi:

1.Vleftësimin e ligjshëm të ndalimit, të personit nën hetim R. Gjuni, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 109/2 e 25 të K.Penal.

2.Caktimin e masës së sigurimit personal ndaj personit nën hetim R. Gjuni, atë të “Arrestit në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.

3.Vleftësimin e ligjshëm të ndalimit, të personit nën hetim A. Selaj, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 109/2 e 25 të K.Penal.

4.Caktimin e masës së sigurimit personal ndaj personit nën hetim A. Selaj, atë të “Arrestit në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.

DËSHMIA E XHAXHAIT TË FËMIJËS

Xhaxhai i 3-vjeçarit, i cili prej gati një jave rezulton i zhdukur pasi u rrëmbye nga gjyshja e tij nga ana e të atit, është shprehur se mes prindërve të tij dhe nuses s’ka pasur konflikte. Në emisionin “Me zemër të hapur” në “News 24”, xhaxhai i të miturit rrëfeu se i vëllai, 35- vjeçari Avni Gjuni, humbi jetën në një aksident tek Kthesa e Kamzës rreth 1 vit më parë dhe pas vdekjes së tij, e shoqja, Ile Gjuni u largua nga banesa së bashku me të birin.

“Mërzia e humbjes së çunit është, nga dëshira për ta pasur nipin afër, ngaqë humbi djalin, nipi sikur ia zëvendëson pak a shumë vendin e atij”, tha ai, duke shtuar se gjyshja s’përbën rrezik për jetën e 3-vjeçarit.

Xhaxhai i 3-vjeçarit:Vëllai im, që është ish-bashkëshorti i nuses ka vdekur më shumë se një vit më parë tek Kthesa e Kamzës në aksident. Mes nuses dhe vjehrrit e vjehrrës nuk ka pasur konflikte për nipin. Kanë arritur marrëveshje për takim me nipin. Pasi i vdiq bashkëshorti, nusja iku nga banesa për të parë jetën e vet. Nuk na vjen mirë, është një gjë që se komentoj dot. Mërzia e humbjes së çunit është, nga dëshira për ta pasur nipin afër, ngaqë humbi djalin nipi sikur ia zëvendëson pak a shumë vendin e atij. Nga kjo mund të jetë nisur.

Nuk ka shans për rrezikshmëri. Nuk është rruga e duhur kjo, mendimi im personal. Por ajo e ka marrë që e do shumë, jo për ti bërë dëm. Për jetën e fëmijës nuk përbën rrezik. Ai mund të jetë ndaluar për rrethanat, por jo se ka dijeni. Shteti do të bëjë punën e vet. Kosova dhe Kukësi është afër, ne njohim njerëz andej por nuk kemi hyrje-dalje të shpeshta”.

KONFLIKTI

Sipas të dhënave të Policisë së Durrësit, bazuar edhe në dëshminë e nënës së fëmijës së rrëmbyer, është mësuar se ajo ka vendosur të largohet nga shtëpia e burrit të ndjerë dhe të kthehet në shtëpinë e të atit.

Ajo ka refuzuar t’u ketë thënë se ka vendosur të nis jetë tjetër, por më herët mes saj dhe gjyshërve të fëmijës së saj kishte patur përplasje për kujdestarinë e fëmijës.

Ile Gjuni, vetëm 23-vjeç, pretendon se kishte vendosur tua linte fëmijën çdo fundjavë prindërve të bashkëshortit të saj, që ka humbur jetën në aksidentin e tmerrshëm të mëngjesit të 23 shkurtit të vitit të kaluar.

Avni Gjuni ishte pasagjer në një automjet, ku drejtuesi, u tha se nga shpejtësia humbi kontrollin dhe u përplas në bordurë dhe pastaj në kangjellat e hekurta në anësoren e rrugës, te Kthesa e Kamzës.

Ile Gjuni, i ka thënë policisë se kishte vendosur që çdo fundjavë të ua dërgonte fëmijën dhe madje edhe t`i takonte gjyshërit e tij, por të shtunën e 13 prillit kur ka shkuar të qëndroje me ta, ajo nuk i ka gjetur, as ata dhe as të voglin e saj.

 

 

 

 

 


Shtuar 20.04.2024 09:26