Reuters: Kryeministri Rama paralajmëron ndryshime ligjore për të mbrojtur ministrat nga pezullimi!

Kryeministri Edi Rama, ka deklaruar sot se qeveria e tij do të propozojë ndryshime në ligj për të mbrojtur ministrat nga pezullimi gjatë kohës që janë nën hetim penal, një nismë që ka shkaktuar reagime të forta nga opozita dhe madje ka nxitur edhe reagimin e mediave ndërkombëtare.

Sipas raportimit të Reuters, një gjykatë pezulloi në nëntor zëvendëskryeministren Belinda Balluku, pas një padie të ngritur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK. Ajo akuzohet për ndërhyrje të dyshuar në një tender për projekte infrastrukturore, akuza që i ka mohuar.

Çështja ka nxitur përplasje mes SPAK-ut, i cili i ka kërkuar Kuvendit heqjen e imunitetit të Ballukut për të mundësuar arrestimin e saj, dhe kryeministrit Rama, i cili ka kritikuar atë që e cilëson si tejkalim kompetencash nga ana e gjyqësorit, veçanërisht lidhur me masat e paraburgimit.

Shqipëria synon anëtarësimin në European Union deri në vitin 2030, por Brukseli ka theksuar vazhdimisht se vendi duhet të intensifikojë luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Partia Socialiste, e drejtuar nga Rama, e cila siguroi një mandat të katërt radhazi vitin e kaluar dhe gëzon shumicë të konsiderueshme parlamentare, pritet të ketë rol vendimtar në çdo vendim për imunitetin e Ballukut, e cila më herët ka mbajtur edhe postin e ministres së Infrastrukturës dhe konsiderohet aleate e afërt e kryeministrit.

“Momenti kur një ministër shkarkohet, nuk është vetëm një person i shkarkuar, por e gjithë puna e atij institucioni”, citohet të ketë thënë Rama para deputetëve socialistë, duke shpallur planin për ndryshimet ligjore.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Shqipërisë ka reaguar ashpër, duke e akuzuar kryeministrin se po kërkon të ndikojë në procedurat gjyqësore në favor të tij.

“Kjo nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e Ramës për të mbrojtur veten, duke hedhur në erë si pavarësinë e gjyqësorit ashtu edhe ndarjen e pushteteve… sepse pas Ballukut dhe keqbërjeve të saj qëndron Rama”, thuhet në deklaratën e opozitës për Reuters.

Në muajt e fundit, opozita ka organizuar protesta në Tiranë duke kërkuar dorëheqjen e Ballukut, ndërsa debati mbi rolin e drejtësisë dhe balancën e pushteteve mbetet në qendër të zhvillimeve politike në vend.


Shtuar 16.02.2026 18:28