Refuzimi për zgjedhjet serbe, Quinti etiketon qeverinë Kurti

Në deklaratën e përbashkët të shteteve të QUINT-it, fajësohet qeveria e Kosovës se nuk pranoi një propozim të tyre për zgjedhjet e 3 prillit, të cilin ato e quajnë ‘konstruktiv’.

Qeveritë e Francës, e Gjermanisë, e Italisë, e Britanisë së Madhe dhe e SHBA-së shprehin keqardhje për mungesën e një marrëveshjeje, që do t’i lejonte serbët e Kosovës që të votojnë në zgjedhjet nacionale të Serbisë, më 3 prill.

Pesë shtetet e QUINT-it kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, me të cilin shprehin paknaqësinë e tyre, që nuk u arrit marrëveshja. Për këtë fajësojnë Qeverinë e Kosovës, ndërsa vlerësojnë qëndrimin e Serbisë.

“Derisa ne vlerësojmë gatishmërinë e Serbisë për të gjetur një zgjidhje, jemi të zhgënjyer të theksojmë se Qeveria e Kosovës refuzoi një propozim konstruktiv të propozuar nga QUINT-I”, thuhet aty.

Sipas QUINT-it, “me këtë vendim, Qeveria e Kosovës nuk arriti të demonstrojë angazhimin e saj ndaj parimit të mbrojtjes së të drejtave civile dhe politike të të gjithë qytetarëve të saj, duke përfshirë anëtarët e grupeve pakicë”.

Në deklaratën e QUINT-it thuhet se me qëndrimin për moslejimin e pakicave serbë që të votojnë në territorin e saj, Kosova dëmton aspiratat e saj evropiane.

“Një qëndrim i tillë i Qeverisë së Kosovës nuk është në përputhje me vlerat dhe parimet tona dhe do të dëmtojë aspiratat e tyre evropiane”, thuhet në deklaratën e përbahskët

Në njoftimin e tyre, që zyrtarisht është publikuar nga Qeveria britanike, thuhet se këto pesë shtete janë angazhuar intensivisht me qeverinë e Kosovës dhe të Serbisë, që të arrijnë të gjejnë një zgjidhje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot, gjatë një konference për media, ka thënë se nuk ka vendim të Qeverisë për ndalimin e serbëve që të votojnë në Kosovë, por thjesht nuk ka marrëveshje për këtë çështje. /Express/

Shtuar 23.03.2022 15:40