Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në vijim të turit të saj ballkanik ka mbërritur në Serbi ku është pritur nga presidenti i vendit Aleksandër Vuçiç.
Në një konferencë shtypi të mbajtur për mediat, pasi vizituan punimet në ndërtimin e interkonjeksionit të gazit Serbi-Bullgari Von der Leyen foli dhe për çështjen e targave.
E pyetur se çfarë reagimi mund të presë Serbia nga BE-ja lidhur me ri regjistrimin e targave të vendosur nga qeveria e Kosovës, i cili hyn në fuqi më 1 nëntor, Von der Leyen u shpreh se BE kërkon zgjidhje.
“BE kërkon intensivisht zgjidhje për targat, do ta intensifikojmë bisedën. Ne kemi nevojë për konstruktivitet dhe fleksibilitet nga të dyja palët. Së bashku do të gjejmë një zgjidhje,” tha Von der Leyen.
Deri më 31 tetor, sipas Qeverisë së Kosovës, serbët në veri mund të pajisen me targa RKS dhe t’i zëvendësojnë targat që i kanë me akronime serbe për qytetet e Kosovës, sikurse KM, PZ, PR e të ngjashme. BE-ja, por edhe Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë për 10 muaj afatin për riregjistrim. Por kryeminsitri i Kosovës Albin Kurti është shprehur se qeveria nuk do të tërhiqet nga vendimi i saj dhe bëri thirrje për të gjithë serbët e veriut që të regjistrojnë makinat e tyre.