Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka përshëndetur firmosjen e memorandumit të mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Iranit.
Në një prononcim për gazetarët në Bruksel, Rutte deklaroi se e mirëpret këtë zhvillim dhe se, sipas tij, presidenti Trump ka arritur një marrëveshje të mirë.
Të lidhura
None found
Shefi i NATO-s theksoi: “Memorandumi synon të degradojë kapacitetet bërthamore të Iranit dhe të rikthejë lirinë e lundrimit. Kjo është ajo që ka bërë SHBA-ja, në thelb që nga fundi i shkurtit, duke u siguruar që aftësitë nukleare të Teheranit të tkurren, e po kështu edhe kapaciteti i tij i raketave balistike, i cili përbën kërcënim jo vetëm për Lindjen e Mesme, por edhe për Europën dhe pjesë të tjera të botës”.
Rutte nënvizoi gjithashtu se, edhe pse garantimi i sigurisë së lundrimit në ngushticën e Hormuzit nuk bie në fushën e përgjegjësisë së NATO-s, aleanca mbetet e gatshme të japë ndihmë në rast se i kërkohet.
“Një rikthim i qarkullimit të lirë në ngushticën e Hormuzit, pas një marrëveshjeje paqeje mes SHBA-së dhe Iranit, do të përbënte një hap të madh përpara. Vendet anëtare të aleancës, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën, janë të gatshme të kontribuojnë në mbështetjen e sigurisë së lundrimit në këtë zonë strategjike”, tha Rutte.
