Aplikimi i Kosovës në BE, Presidenca çeke: Do të konsultohemi menjëherë me vendet e tjera anëtare

Presidenca çeke do të informojë Këshillin për marrjen e aplikacionit në takimin e ardhshëm të ambasadorëve të BE-së më 20 dhjetor në Bruksel. Kështu ka thënë në një përgjigje për Dukagjini, Marek Zeman, shef i departamentit të marrëdhënieve me publikun të Ministrisë për Çështjet Evropiane të Çekisë.

“Ne vlerësojmë se vendimi për hapin e ardhshëm drejt perspektivës së Kosovës në BE po merret nga Qeveria e Kosovës gjatë Presidencës Çeke të Këshillit të BE-së, pasi rajoni i Ballkanit Perëndimor ka qenë një nga prioritetet e Presidencës. Presidenca do të angazhohet menjëherë në konsultime me shtetet e tjera anëtare të BE-së”.

Kosova ka nënshkruar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të mërkurën e 14 dhjetorit. Aplikimi u nënshkrua nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe kryeministri Albin Kurti.

Në përgjigje tutje thuhet se Presidenca çeke do të informojë Këshillin për marrjen e aplikacionit në takimin e ardhshëm të ambasadorëve të BE-së më 20 dhjetor në Bruksel.

“Pas një vendimi nga Këshilli, Komisioni mund të të kërkohet të përgatisë opinionin e saj për aplikimin e Kosovës”.

Ndryshe, lidhur me këtë, në një përgjigje për Portalin Dukagjini, nga zyra e BE-së, është thënë se BE-ja vazhdon ta mbështesë Kosovën në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian. Sipas tyre, kur bëhet fjalë për aplikimet për anëtarësim, procedurat janë të përcaktuara në Traktatin e BE-së.

“Kosova ka një perspektivë të qartë evropiane. BE-ja vazhdon ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së, duke filluar përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit BE-Kosovë që ka hyrë në fuqi në vitin 2016. Kur bëhet fjalë për aplikimet për anëtarësim, procedurat për aplikim janë të përcaktuara në Traktatin e BE-së”, thuhet në përgjigje.

Të drejtë për aplikim ka secili vend evropian, që ka demokraci të qëndrueshme dhe ekonomi funksionale të tregut. Nuk ka asnjë garanci se ai do ta fitojë ulësen në BE. Pas aplikimit për anëtarësim, janë tre hapa kryesorë, Statusi i kandidatit, Negociatat e anëtarësimit dhe Ratifikimi i traktatit. Statusi i kandidatit nënkupton pranimin formal të aplikimit të një vendi. Ky status jepet me vendim unanim të Këshillit Evropian. Nga koha e aplikimit deri te statusi i vendit kandidat mund të kalojnë disa vite kohë.