Raporti gjerman për Spitalin në Tetovë, zbulohet një detaj që mund të ketë shkaktuar zjarrin

Pesë prokurorë sot kanë shqyrtuar raportin e ekspertëve gjermanë, i cili është dorëzuar në Prokurorinë Themelore Publike në Tetovë.

Nuk dihet ende nëse pjesë të raportit do të bëhen të ditura për publikun, siç ishte paralajmëruar më parë.

Alsat, duke u thirrur në burime nga prokuroria, tha se në raportin e ekspertëve gjermanë thuhet se shkak për përhapjen e zjarrit në spitalin modular të Tetovës mund të jetë një kabllo vazhdues, në të cilën ishte lidhur një pajisje mjekësore për trajtimin e pacientëve.

Konstatime të tilla paraprakisht kanë marrë teknikët e kriminalistikës vendore, të cilët më 10 tetor kanë dorëzuar raportin e tyre tek prokurorët që udhëheqin hetimet.

Teknikët e kriminalistikës vendore kanë konstatuar se zjarri në spitalin modular në Tetovë ka ndodhur si pasojë e një qarku të shkurtër elektrik përmes rezistencës së lartë kalimtare në kabllon lidhëse të defibrilatorit  në njërën nga dhomat e spitalit.

Mbinxehja e kabllos shkaktoi ndezjen në kutinë e lidhjes së kordonit zgjatues në të cilin ishte lidhur defibrilatori, karikuesi i celularit dhe një pajisje tjetër.(INA)