Ditwn e djeshme, kryeministri Edi Rama, u përball dje me një tjetër zë “rebel” brenda PS-së, kryetarin e Bashkisë së Selenicës, pas takimit që zhvilloi me drejtuesit e bashkive që pritet të përfshihen në njësi më të mëdha.
Përplasja në distancë ndodhi gjatë edicionit të katërt të “Vajza Fest”, të organizuar në fshatin Vajzë të Selenicës. Aktiviteti, i kthyer tashmë në një traditë të rëndësishme për zonën, ndërthur kulturën, artin, sportin, trashëgiminë dhe traditat, duke promovuar vlerat e pasuritë e trevës.
Të lidhura
None found
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, kryebashkiaku Nertil Bellaj deklaroi se institucioni që drejton ka realizuar shumë punë gjatë katër viteve, ndërsa vendimin për të ardhmen e bashkisë ia la kryeministrit.
Bellaj tha se Selenica ka edhe ujë deti, pra ujë të kripur, të cilin, sipas tij, ia ka dhuruar natyra. Ai theksoi se, ashtu si Labëria njihet për historinë e saj të lavdishme, bashkia është përpjekur gjatë katër viteve të bëhet po aq e njohur, duke e ngritur zonën në një nivel tjetër në turizmin malor dhe lumor.
Kryebashkiaku shtoi se puna do të vazhdojë dhe më pas do të shihet se si do të rrjedhin zhvillimet.
Kreu i Bashkisë së Selenicës, është shprehur hapur kundër bashkimit të kësaj njësie vendore me Vlorën.
Pas deklaratës së Bellajt, Rama reagoi me ironi, duke u ndalur pikërisht te pohimi për praninë e ujit të kripur në mal.
Kryeministri përshëndeti Nertil Bellajn dhe e falënderoi për informacionin se deti, bashkë me ujin e kripur, kishte mbërritur në majë të malit.
Rama përshëndeti gjithashtu ministrin e Pushtetit Vendor, zotin Demo, i cili ndodhej i pranishëm për të kontrolluar mënyrën se si funksionon Bashkia e Selenicës.
Pak ditë më parë, Rama nisi një seri konsultimesh për reformën e re territoriale. Varianti i propozuar nga PS-ja parashikon që numri i bashkive të ulet nga 61 që janë aktualisht në 46.
