Këtë të hënë, kryeministri Edi Rama, prezantoi platformën “Pasqyra e Çmimeve” bashkë me nismën “KURSE”, të cilat kanë për qëllim uljen e barrës financiare për familjet shqiptare nëpërmjet një bashkërendimi mes qeverisë, zinxhirëve të supermarketeve dhe furnitorëve.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se marrëveshja e arritur me pesë operatorë kryesorë të tregtimit të ushqimeve garanton çmime të qëndrueshme dhe të arsyeshme për një gamë produktesh deri më 12 janar të vitit të ardhshëm.
Të lidhura
None found
Ai vuri në dukje se iniciativa vjen në një moment kur rritja e kostove po godet konsumatorët në shkallë globale.
Ai njoftoi se aktualisht më shumë se 200 artikuj janë përfshirë në këtë skemë, ndërsa objektivi është zgjerimi i numrit të tyre në 1000 deri në mbyllje të vitit.
Rama shtoi se procesi do të shtrihet edhe tek bizneset më të vogla dhe dyqanet e shitjes me pakicë, për të integruar sa më shumë pjesëmarrës të tregut.
Kreu i qeverisë sqaroi se qëllimi nuk është kontrolli shtetëror mbi çmimet, por stimulimi i konkurrencës së ndershme, rritja e transparencës dhe bashkëpunimi në funksion të mbrojtjes së konsumatorit.
“Jam i kënaqur që arritëm ta konkretizojmë këtë nismë me mirëkuptim dhe dakordësi, sepse ndodhemi në një periudhë kur duhet parë përtej fitimit të menjëhershëm dhe respekti ndaj qytetarit dëshmohet duke marrë parasysh situatën në të cilën gjendemi, e cila ka prekur gjithë botën me rritjen e përgjithshme të kostove, tipike për të gjitha vendet.
Duhet hedhur një hap përtej kufirit mes shitësit dhe blerësit, duhet gjetur një mënyrë për t’u ofruar një mundësi shtesë njerëzve që hasin vështirësi. Sot, falë këtij mirëkuptimi dhe bashkëveprimi të këtyre 5 subjekteve të rëndësishme të tregtimit ushqimor në Shqipëri, kemi në dorë këtë pasqyrë dhe këtë marrëveshje për një sërë artikujsh që do të kenë çmim të arsyeshëm dhe të pandryshueshëm deri më 12 janar të vitit të ardhshëm.
Shtete të ndryshme kanë ndërmarrë hapa të ngjashëm dhe kur ata e kanë gjetur gjuhën e përbashkët, s’ka arsye që ne të mos e gjejmë mes nesh. Ky nuk është përfundimi, por fillimi i një procesi ku synojmë të angazhojmë gjithnjë e më shumë subjekte, përfshirë edhe ato më të vogla dhe pikat e shitjes me pakicë, ku siç e tha ministrja, çmimet lëvizin në mënyrë të paligjshme dhe ligji parashikon gjobë nëse ato çmime rezultojnë spekulative.
Apeli ynë do të jetë mirëkuptimi dhe përfshirja e gjerë në këtë nismë. Janë mbi 200 artikuj që bëjnë pjesë në pasqyrë dhe deri në fund të vitit synojmë të arrijmë në 1000. Subjektet i përditësojnë çmimet në pasqyrë dhe qytetarët informohen në kohë reale.
Ka zëra që na kërkojnë të vendosim çmime, por kjo është e pamundur sepse që në vitin 1990 kemi zgjedhur bashkërisht që çmimet t’i përcaktojë konkurrenca e lirë. Besoj se kjo do të jetë një lehtësim për konsumatorët, do të kërkojë punë nga ana jonë dhe dëshiroj ta promovojmë këtë nismë.
S’ka dyshim që koha, si gjithmonë, do të na japë mësime të reja. Eksperienca e këtij programi do të na edukojë më tej. Kjo pasqyrë është koncepti i ‘Pasqyrës së Shqipërisë’, por ne synojmë ta çojmë transparencën në një stad më të lartë në çdo sektor, në mënyrë që të gjithë të shohin me sytë e tyre faktet dhe realitetet e jetës së përditshme. Krijimi i një pasqyre unike, ku shteti është i aksesueshëm me një klik dhe ku njihesh me faktet dhe të vërtetat që dalin prej tyre, është tejet i nevojshëm në këtë periudhë. Pasqyra e Çmimeve është një nga këto komponentë dhe është gati të aktivizohet për qytetarët”, deklaroi Rama.





