Kryeministri Edi Rama ka ndarë një tjetër qëndrim lidhur me protestat e vazhdueshme, pasi u dorëzoi deputetëve socialistë dokumentin strategjik të quajtur “Besa”, i cili shihet si një hap reflektimi mbi lëvizjet qytetare.
Në një reagim në platformat sociale, ai iu drejtua protestuesve që kanë bërë të qartë se nuk janë të interesuar për bisedime apo kompromise, por kërkojnë vetëm dorëheqjen e tij.
Të lidhura
None found
“Ata përsërisin pa pushim se refuzojnë dialogun, nuk pranojnë negociata, nuk do të japin besë dhe duan vetëm largimin tim! Ky është një keqkuptim i thellë. Asnjë prej tyre nuk më ka votuar ndonjëherë, unë nuk kam asnjë lidhje kontraktuale me ta dhe as që më ka kaluar në mendje të thyej marrëveshjen me 800 mijë shqiptarët, mes të cilëve ka plot flamingo,” shprehet Rama në postimin e tij.
Shefi i ekzekutivit sqaron se mesazhi i tij i mëparshëm i dedikohej atyre që i kanë dhënë besimin në zgjedhje, jo atyre që po organizojnë tubimet për shkarkimin e tij.
“Fjalën time ua adresova atyre që më votuan, duke nxjerrë mësime nga flamingot. Nuk iu drejtova sorrave të zeza që zënë bulevardin çdo mbrëmje, pasi flamingot janë larguar,” theksoi ai.
Rama shtoi gjithashtu se pjesëmarrësit në protesta janë të lirë të vijojnë me kërkesën e tyre për dorëheqje deri në përfundim të mandatit në vitin 2029, duke e cilësuar këtë si një shprehje normale të lirisë dhe demokracisë.
“Le të mos ndalen së ardhuri nën dritaret e mia me thirrjen për dorëheqje deri në 2029-ën, nëse kështu dëshirojnë! Sepse liria vlen njëlloj për ta dhe demokracia funksionon në të njëjtën mënyrë për këdo,” vijoi ai.
Në fund të reagimit, kryeministri ripohoi se legjitimiteti i tij qeverisës buron nga vullneti i shprehur në kutitë e votimit dhe se “kontrata me shqiptarët” nuk cenohet nga presioni i protestuesve, por qëndron mbi mbështetjen e atyre që e zgjodhën.
