Rama hap fushatën zgjedhore dhe ia “kushton” Bashës: O dhëndër, po mbjell vdekje në shesh!

Kryeministri Edi Rama ia ka kushtuar pjesën më të madhe të fjalës së tij në hapje të fushatës zgjedhore, kundërshtarit të tij politik Lulzim Basha.

Për kryeministrin Edi Rama, opozita po mbjell vdekje duke grumbulluar njerëz të shumtë në shesh.

Në fjalën e mbajtur para kandidatëve për deputetë, Rama u shpreh se ndërkohë që shumë shtete në Evropë janë të mbyllur, opozita shqiptare mbledh njerëz të shumtë në rrugë.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Ne nuk mund të jemi krijues vatrash infektimi. Ne nuk mund t’i thërrasim njerëzit për t’i vënë në rrezik dhe mbi të gjitha të çojmë mesazhin e gabuar dhe të tmerrshëm se kush është më lart mund të sillet si të dojë me shtetin dhe ligjin, saqë kur bëhet fjalë edhe në një luftë mes jetës dhe vdekjes nuk do t’ia dijë se mund të mbjellë vdekjen tek ata që e ndjekin.

Mandati i tretë nuk është për Partinë Socialiste, nuk është për karrigen e askujt përfshirë edhe timen. Mandati i tretë është që Shqipëria të mos kthehet më mbrapa. Mandati i tretë bën të pakthyeshme reformën në drejtësi dhe ardhjen në fuqi në jetën tonë të një drejtësie të re.

E kundërta do të thotë humbje e të gjithë këtyre përpjekjeve dhe kthim përsëri aty ku Shqipëria nuk mund dhe nuk do të kthehet më. Mandati i tretë i Partisë Socialiste do të thotë që prona të mos jetë më një problem në mesin tonë dhe që çështja e pronës është futur më në fund në rrugën e mbylljes përfundimtare.

Mandati i tretë do të thotë që politika të mos mund t’u kërkojë më dot asgjë as mësuesve, as infermierëve as mjekëve që janë në atë vend fal meritës së tyre. /albeu.com/

 

 

 


Shtuar 25.03.2021 19:35