Protesta kundër qeverisë vijon edhe sot, duke shënuar ditën e 93-të të mobilizimit të pandërprerë qytetar, i cili tashmë ka zgjatur më shumë se tre muaj.
Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit nisën të marshojnë përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në drejtim të Kryeministrisë. Kërkesa kryesore e tyre mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i qeverisë.
Të lidhura
None found
Gjatë 92 ditëve të mëparshme, tubimet janë zhvilluar çdo ditë dhe qytetarët kanë përsëritur se nuk do të ndalen derisa të përmbushen kërkesat e tyre. Përveç largimit të Ramës dhe kabinetit të tij, protestuesit kërkojnë krijimin e një qeverie tranzitore dhe ndryshimin e sistemit politik.
Një ditë më parë, protesta e 92-të u shoqërua gjithashtu me marshim nga sheshi “Skënderbej” drejt godinës së qeverisë, si dhe me pankarta, bilbila e thirrje kundër Edi Ramës. Gjatë rrugës u dëgjua edhe slogani “Arresto Ballukun”. Përpara Kryeministrisë u mbajtën fjalime kundër qeverisë.
Aktivistja Sidorela Vatnikaj tha nga foltorja se protesta do të vazhdojë deri në largimin e Ramës dhe qeverisë së tij. Ajo kundërshtoi gjithashtu sistemin e vjetër politik, duke deklaruar se qytetarët nuk duan të zgjedhin më mes “dy liderëve autokratikë”, por synojnë një Shqipëri të re.
Aktivisti Arben Kola akuzoi mazhorancën dhe u shpreh se qytetarët janë mbledhur për t’i thënë qeverisë “shporru”. Në fjalën e tij, ai u ndal veçanërisht te Kukësi, duke e akuzuar pushtetin për shpopullimin dhe neglizhimin e kësaj zone.
Në tubim foli edhe një nënë e rikthyer nga emigracioni. Ajo tha se ishte kthyer në Shqipëri sepse, sipas saj, “atdheu është në rrezik”, ndërsa u bëri apel prindërve që t’u bashkohen të rinjve. Protestuesja pretendoi gjithashtu se gjatë marshimit drejt Kryeministrisë, nga lartësia ishin hedhur vezë në drejtim të qytetarëve.
Një tjetër protestuese deklaroi se qeveria, sipas saj, po shfaq shenja frike dhe se pas 92 ditësh qytetarët nuk mashtrohen më nga ajo që e cilësoi si “fasadë” të pushtetit.
