Rama: Bashkia ka prova për farsën e zgjedhjeve

Kryeministri Rama ka deklaruar se përplasja mes kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe Federatës Shqiptare të Futbollit nuk është çështje e qeverisë. Sipas Ramës, Bashkia ka ankesa të mëdha dhe thotë që ka prova për farsën e zgjedhjeve në FSHF.edi rama, duka dhe veliaj

“Federata ka statutin e vetë, bashkia është aksionare e klubit Tirana, ka ankesa të mëdha dhe thotë që ka prova për farsën e zgjedhjeve. Është beteja e tyre!”, thotë Rama. UEFA dhe FIFA kanë paralajmëruar se do të vijnë në Shqipëri, po a do i presë Rama? “Po patjetër, unë i kam miq të dy ata. I pres me shumë kënaqësi”, u shpreh Rama për emisionin ‘Open’ në Top Channel.

Kryeministri zbuloi edhe se çfarë i ka thënë Kryebashkiaku Veliaj në lidhje me përgjimet: “Më tha që i qëndroj asaj që ka thënë, ka qenë një bisedë mes çunave të kalçetos…”.

Rama tregoi se çfarë bisedoi me Veliajn për këtë çështje dhe faktin që u përmend SPAK duke bërë me dije se nuk ka aspak lidhje me këtë.

“Nuk është fare tema jonë si qeveri. Unë thjesht kam bërë një bisedë me kryetarin e Bashkisë pasi doli një përgjim që nuk e kam dëgjuar, refuzoj të dëgjoj përgjime sepse të gjitha përgjimet janë në kontekste, të dala në konteksti prodhojnë diçka tjetër. Dhe po të na kishin regjistruar tani çfarë folëm e të na fusnin live, ishte toni tjetër. Njerëz jemi ne, mish, kocka, gjak. E mora ta pyes çfarë është dhe më shpjegoi kontekstin, pozicionin e tij, abuzimet e federatës, të gjithë procesin e zgjedhjeve që sipas tij po bëhet përveç çdo standardi. Po i thashë për çfarë e përmend SPAK-un? Kur them që këto përgjime bëhen bazë abuzimi se i kam vuajtur në kurriz. SPAK-u nuk ka lidhje me këtë. Është një fjalë e thënë në muhabet, por SPAK nuk ka kompetencë të merret”.


Shtuar 27.01.2022 22:53