Qeveria e priste “furtunën” nga SPAK në Ministrinë e Brendshme? Si u shkarkua pa motiv drejtoresha e arrestuar

Ditën e sotme Policia e Shtetit zbatoi urdhërat e arrestit nga SPAK duke vënë në pranga 8 zyrtarë të Ministrisë së Brendshme dhe 1 në arrest shtëpie.

Policia ka ushtruar kontroll në banesat e të ndaluarëve, dhe në zyrat e Ministrisë së Brendshme pas një hetimi të gjatë rreth tenderit të uniformave të Policisë së Shtetit në kohën kur ish-ministri Sandër Lleshaj ishte në detyrë.

Të arrestuar janë:

Edlira Naqellari, ish-drejtoresha e Blerjeve të Përqëndruara në MPB, e shkarkuar nga ministri Bledi Çuçi 8 ditë më parë.

Flutura Çekrezi, zyrtare pranë Agjencisë së Blerje të Përqëndruara

Fatmir Demneri, anëtar i KVO

Mariglen Buzali, anëtar i KVO

Kreshnik Bejkaj, anëtar i KVO.

Ani Omuri, anëtar i KVO.

Anisa Bogdani, anëtar i KVO.

Gëzim Mingaj, anëtar i KVO.

Burimet për albeu.com bëjnë me dije se Edlira Naqellari është shkarkuar nga detyra që mbante në Ministrinë e Brendshme vetëm 8 ditë më parë, nga ministri aktual, Blendi Çuçi.

Naqellari është shkarkuar më 2 korrik dhe në vend të saj është emëruar Nertila Mihali, duke mos dhënë asnjë arsye për largimin e saj nga ky pozicion pune.

Rikujtojmë se ky tender është denoncuar rreth 1 vit më parë nga PD në SPAK ku akuzohej bashkë me Naqellarin edhe ish-ministri Sandër Lleshaj dhe ministrja Olta Xhaçka.

Kallëzimi në SPAK nga ana e PD:

Në gusht të vitit 2020, Grupi parlamentar demokrat ka kallëzuar në SPAK ish- ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj dhe ministren Olta Xhacka, për skandalin e tenderit të uniformave të Policisë së Shtetit.

Në kallëzimin e bërë të asaj kohe nga ana e grupit parlamentar demokrat thuhet se dy ministrat e qeverisë kanë kryer një sërë veprash penale, që kanë të bëjnë me shpërdorimin e detyrës apo afera korruptive.

Në kallëzimin e dorëzuar në SPAK, ish- ministri Sandër Lleshaj akuzohet për 5 vepra penale, duke nisur nga korrupsioni i funksionarëve të lartë shtetërorë.

Fituese e tenderit, të zvarritur për gati një vit, është kompania D&E shpk, me një oferte prej 26 milionë dollarësh, 5 milionë dollarë më shumë se kompania turke, Genç Taahhüt Giyim.

Sipas deputetëve të opozitës, në Komisionin e Vlerësimit të Ofertave ishin 3 anëtarë, të cilëve iu bë presion që të skualifikohej kompania e renditur e para, e cila plotësonte të gjitha kriteret, dhe që ofronte edhe 5 milionë dollarë më pak, miërpo për të shtypur rezistencën e tyre në këtë komision u shtuan papritur edhe dy anëtarë të rinj pa asnjë shpjegim, duke e çuar numrin në pesë persona.

“Nga ana e Drejtoreshës së Agjencisë së Blerjeve të Përqendruar, Edlira Naqellari, nën bekimin e Sandër Lleshajt, komisionit i janë ofruar para për të skualifikuar firmën e kualifikuar si e para, por pasi një pjesë e tyre kanë vendosur që të mos e shkelin ligjin, Edlira Naqellari bashkë me Sandër Lleshajn kanë vendosur të shkrijnë Komisionin”, shprehen deputetët opozitar.

Më pas gara u zhvillua me një komision prej tre anëtarësh duke shpallur fituese kompaninë D&E shpk e cila kishte dhe vlerën më të lartë të ofruar, çka sipas deputetëve është provë e qartë se fituesi ka qenë i paracaktuar.

Në kallëzimin zbulohet se grabitja e parave për qepjen e uniformave të policisë mund të jetë më shumë se 11 milionë dollarë, pasi nga D&E shpk është ofruar 51,5% të fondit limit pre 28 milionë dollarësh dhe kontrata duhet të lidhej me rreth 14 milionë dollarë.  /albeu.com/

 

 


Shtuar 10.07.2021 10:05