Punonte dhe ditët e festave për bukën e gojës, mbeti viktimë e sulmit në Top Channel, Pal Kola kishte 6 muaj që kishte filluar si roje

60-vjeçari Pal Kola mbeti viktimë e plumbave që u qëlluan ndaj godinës së Top Channel rreth orës 01:00 pas mesnatës.

Mësohet se ai banonte në një shtëpi të vogël në Sharrë, në kushte aspak të mira.

Për të shkuar në punë ai duhej të bënte çdo ditë kilometra në këmbë, pasi shtëpinë e kishte larg nga rruga kryesore, bën me dije gazetarja Ledina Jakimi.

Ai kishte filluar punë prej 6 muajsh në Top Channel dhe punonte edhe në ditët e festave.

I ndjeri ishte baba i dy vajzave dhe një djali, ky i fundit punon në Itali.

Ndërkohë, njëra nga vajzat është e divorcuar dhe ka një djalë dhe tashmë jeton te familja e vet.

Kola njihej si njeri i qetë dhe nuk kishte konflikte, teksa ishte me origjinë nga Puka dhe prej 25 vjetësh jetonte në Sharrë.

Ndërkohë, nga ngjarja e rëndë nuk dihet ende asnjë detaj veç makinës së autorëve që është gjetur e djegur.

Teksa autorët kanë “avulluar”, Pal Kola ishte një tjetër viktimë e realitetit të egër kriminal në Shqipëri.