Pse sekret?! Qeveria e Maqedonisë së Veriut ende nuk ka zbuluar se çfarë armësh i ka dërguar Ukrainës

Se çfarë ndihme ushtarake i është dorëzuar Ukrainës mbetet sekret. Ministria e Mbrojtjes ritheksoi sot se tre vendimet për dhurimin e ndihmës ushtarake ende nuk janë deklasifikuar.

Një pjesë e mediave raportoi se bëhej fjalë për tanke dhe katër avionë “Sukhoi-25”, të blerë më parë direkt nga Kievi, por ky informacion nuk u konfirmua nga Ministria. Megjithatë, Mihailo Podoljak, këshilltari i presidentit ukrainas Volodimir Zelenski, në një postim në gjuhën ukrainase falënderoi vendin për tanket dhe avionët e dhuruar, pa specifikuar nëse ishin aeroplanë apo helikopterë.

Ministria përkatëse thotë se Qeveria deri më tani ka marrë disa vendime për ndihmë ushtarako-teknike për Ukrainën që të mbrojë integritetin e saj territorial, i cili kërcënohet nga ndërhyrja ushtarake e Rusisë. Ndihmë ushtarake është dhuruar në disa raste.

“Me vendimet e marra deri më tani nuk prishet gatishmëria luftarake e Armatës tonë. Ministria e Mbrojtjes dhe Armata është në proces të reformës dhe modernizimit që parasheh furnizim dinamik të pajisjes moderne tekniko- teknologjike, në pajtim me prioritetet e fuqishme, për realizimin e qëllimeve përkatëse të NATO-s”, thonë nga Ministria e Mbrojtjes.

Përndryshe, Qeveria që më 28 shkurt, vetëm disa ditë pas invazionit rus, mori vendim për dhurimin e mjeteve ushtarake dhe pajisjes për forcat e armatosura të Ukrainës ndërsa lloji i mjetet do të jetë në pajtim me nevojat e Kievit.

Pas informacionit për donacion të tankeve nga Moska aktin e vlerësuan si “gabim të madh” ndërsa autoritetet vendore u shprehën se “Maqedonia e Veriut është vend sovran që vendimet i merr në mënyrë individuale, duke e respektuar të drejtën ndërkombëtare”./ Alsat.mk


Shtuar 8.08.2022 16:19