Pse elitat ruse vazhdojnë ta mbështesin Putinin?

Që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë, analistët dhe komentatorët politikë kanë kërkuar të gjejnë shenja të një përçarjeje brenda klasës sunduese ruse, të cilat mund të sinjalizojë pakësimin e mbështetjes për regjimin e Vladimir Putinit.

Në ditët e para të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, disa raporte mediatike treguan tronditjen dhe tmerrin që kishte shkaktuar te një pjesë e elitës vendimi i Putinit për të sulmuar një vend fqinj. Disa anëtarë të saj e dënuan publikisht luftën ose sinjalizuan se nuk ishin dakord me vendimin e Putinit.

Midis tyre ishin kreu i Federatës Ndërkombëtare të Shahut dhe ish-zëvendëskryeministri Arkadi Dvorkoviç, diplomati rus Boris Bondarev, miliarderët Oleg Tinkov, Mikhail Fridman dhe Oleg Deripaska. Edhe pse nuk e dënoi hapur luftën, Roman Abramoviç ka ndihmuar në zhvillimin e negociatave të paqes me Ukrainën.

I dërguari i Rusisë për klimën, Anatoli Çubais, ishte edhe më i paqartë në kundërshtimin e tij. Ai dha dorëheqjen në heshtje dhe u largua nga vendi. Disa pjesëtarë të elitës e shfaqën tronditjen e tyre përmes prononcimeve për mediat në kushte anonimiteti. “Është paranoja që ka arritur në pikën e absurditetit”- deklaroi njëri prej tyre.

Por 3 javë më vonë, intervistat me të njëjtët bashkëbisedues përçuan mesazhe të ndryshme: “Tani që Perëndimi vendosi sanksione ndaj nesh… ne do t’i mposhtim të gjithë!”. Të tjerët, si shumica e anëtarëve të Dumës (parlamentit rus) dhe anëtarët e Këshillit të Federatës, treguan mbështetjen e tyre të plotë për “operacionin special ushtarak” të Putinit.

Por shumica duket se ka heshtur. Shfaqja e një fasade monolite pro Putinit, nuk nënkupton kohezionin e elitave që bazohen te vlerat dhe besimet e përbashkëta, faktorë që mund t’i mbajnë ato të bashkuara për një periudhë afatgjatë.

Përpjekjet fillestare të Putinit për të konsoliduar elitat, ishin pjesërisht të suksesshme, pasi grupe të ndryshme elitare vazhduan të ndiqnin interesa të ndryshme, dhe të përplaseshin midis tyre për ndikim dhe burime, duke treguar besnikëri ndaj Putinit pavarësisht nga pikëpamjet e tyre aktuale.

Por kur ekonomia ruse nisi të tkurret pas sanksioneve të vitit 2014 për aneksimin e një pjese të Ukrainës, presidenti rus është mbështetur gjithnjë e më shumë te një kombinim i pakënaqësisë, ideologjisë ultra-konservatore, represionit të shtuar dhe tek atmosfera e përgjithshme e frikës për të forcuar kontrollin e tij mbi pushtetin dhe për të mbajtur nën kontroll elitat.

Sot, edhe nëse nuk janë mbështetëse të vërteta të luftës së Putinit në Ukrainë, elitat e gjejnë veten kryesisht të paralizuar nga kostot e larta të kundërshtimit apo largimit nga vendi. Në këto kushte, ata kanë zgjedhur të mbështetin statuskuonë, gjë që shton tensionet e brendshme dhe krijon më shumë rreziqe për regjimin në të ardhmen.

Elitat ruse përbëhen nga vendimmarrësit kryesorë në sferën politike, ekonomike dhe ushtarake. Ndërsa nën regjimin autoritar të Rusisë, ato mund të shihen si klasa sunduese, fuqia dhe kapaciteti i tyre vendimmarrës është relativisht i kufizuar.

Ata lejohen të konkurrojnë për burime të ndryshme, por duhet të ndjekin një sërë rregullash formale dhe joformale, dhe të njohin autoritetin e Vladimir Putinit, i cili është arbitri dhe mbajtësi kryesor i pushtetit në sistemin politik. Shtrirja e ndikimit të tyre varet edhe se cilit grup elitar i përkasin.

Politologu Piter Rutland i Universitetit Ueslejan identifikon 4 grupe kryesore elitare që u shfaqën në Rusi dekadat e fundit: rrethi i ngushtë i Putinit, oligarkët, silovikët dhe burokracia shtetërore.

Që nga viti i kaluar, në rrethin e brendshëm të Putinit përfshihen: kreu i Këshillit rus të Sigurimit Nikolai Patrushev, zëvendësi i tij dhe ish-presidenti rus Dimitri Medvedev, kreu i “Rostec” Sergei Chemezov, kreu i “Rosneft” Igor Sechin, kryetari i bashkisë së Moskës Sergei Sobjanin, Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu, dhe 3 biznesmenë me lidhje të ngushta personale me Putinin: kryeu i “Rossiya Bank” Juri Kovalçuk, kreu i kompanisë private të investimeve “Volga Group”, Genadi Timçenko dhe Arkadi Rotenberg, bashkëpronar i “Stroygazmontazh”, kompania më e madhe e ndërtimit të tubacioneve të gazit në Rusi.

Grupi i oligarkëve përbëhet nga 2 nëngrupe: të ashtuquajturit oligarkë “të vjetër”, që u pasuruan dhe fituan pushtet në vitet 1990 nën presidencën e Boris Jelcin, dhe oligarkët “e rinj”, që u forcuan shumë nën sundimin e Putinit. Grupi i parë përfshin Mikail Fridman, Roman Abramoviç dhe Oleg Deripaska. Anëtarët kryesorë të grupit të dytë janë bashkëpunëtorët e lartpërmendur të Putinit, Kovalçuk, Timçnko, Rotenberg dhe disa të tjerë.

Ndërkohë grupi i siloviki përfshin drejtues të të gjitha agjencive kryesore të sigurisë dhe ushtarake, si drejtori i Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) Aleksander Bortnikov, kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme, Sergei Narishkin, Shoigu, Patrushev, dhe kreu i Gardës Kombëtare Viktor Zolotov, dhe presidenti i Çeçenisë, Ramzan Kadirov.

Gazetarët investigativë Andrei Soldatov dhe Irina Borogan e përshkruan FSB-në si “fisnikërinë e re” të Rusisë dhe elitën e vërtetë të vendit në librin e tyre të vitit 2010. Por më vonë, për shkak të gabimeve politike të agjencisë, Putin ia kufizoi pushtetin dhe e zbehu konkurrencën e brendshme, duke krijuar kështu një të metë fatale: ndalimin e fluksit jetik të informacionit drejt udhëheqjes politike.

Dhe pasojat e këtij vendimi, pasqyrohen në cilësinë e dobët të raportimeve të FSB-së për situatën e brendshme të Ukrainës, që mund të ketë qenë një faktor në nënvlerësimin e aftësive të Ukrainës nga ana e Putinit. Burokracia shtetërore përbën grupin e katërt elitar, që është shfaqur në bazë të nomenklaturës sovjetike.

Ndër anëtarët kryesorë të burokratëve të nivelit federal janë kreu i administratës presidenciale Anton Vaino, zëvendësit e tij Sergei Kirijenko dhe Dimitri Kozak, kryeministri Mikail Mishustin, zëvendëskryeministri i parë Andrei Belusov, drejtuesja e e Bankës Qendrore Elvira Nabiulina etj.

Po çfarë i mban së bashku këta njerëz? Së pari, Rusia e Putinit është një regjim shumë i centralizuar, ku të gjitha degët e pushtetit janë në thelb të varura nga presidenti. Zgjedhjet manipulohen vazhdimisht, dhe pengojnë që opozita e vërtetë politike të bëhet pjesë e sistemit politik.

Media dhe shoqëria civile janë të nënshtruara ndaj shtetit; lëvizjet në bazë shtypen dhe opinioni publik manipulohet nga propaganda e pamëshirshme dhe e fuqishme. Brenda këtij regjimi, njerëzit kanë pak mundësi legjitime për të shprehur pikëpamje që janë të ndryshme nga “vija e partisë”.

Së dyti, deri në vendosjen e sanksioneve për shkak të aneksimit të Krimesë, përfitimet nga mbështetja e regjimit peshonin më shumë sesa kundërshtimet dhe mospajtimet. Që nga mandati i tij i tretë në detyrë, Putin është mbështetur gjithnjë e më shumë në shtypjen për të penguar mospajtimin.

Kjo prirje ka arritur nivele edhe më të larta pas luftës në Ukrainë. Regjimi ka përdorur represionin e egër jo vetëm kundër aktorëve politikë që nuk i përkasin elitës si Aleksei Navalni por edhe kundër elitave. Spastrimet në radhët e elitës janë bërë rutinë, dhe burgosja e figurave të profilit të lartë si biznesmeni Mikail Kodorkovski, ish-kreu i kompanisë së naftës Yukos apo Ministri të Zhvillimit Ekonomik Aleksei Uljukaev, ka dërguar sinjale të qarta se askush nuk është i paprekshëm.

Së treti, disa nga tiparet e dallueshme të lidershipit politik të Putinit janë fshehtësia dhe paparashikueshmëria e tij, të cilat përplasen me nevojat themelore psikologjike të njerëzve për siguri. Në situata kritike, 3 reagimet tipike ndaj frikës janë lufta, ikja ose ngrirja e qëndrimi në heshtje.

Regjimi i Putinit po i afrohet sfidës së tij të radhës, zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024 dhe problemit të tranzicionit të pushtetit, në një mjedis gjithnjë e më armiqësor të jashtëm dhe të brendshëm. Ka të ngjarë të ketë më shumë shtypje dhe spastrime të elitave. Mbetet për t’u parë nëse dëmet e pësuara mund t’i detyrojnë grupet elitare të largohen nga vendi apo të sfidojnë regjimin e Putinit. Deri më sot, duket e pamundur.

Shënim:Olga Khvostunova gazetare, studiuese dhe analiste politike ruse me banim në Moskë./CNA.al