Gjatë protestës para Kryeministrisë, një qytetare iu drejtua Parlamentit me një mesazh të fortë, duke e lidhur gjendjen aktuale në vend me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008.
“Ndryshimet e Kushtetutës në 2008 na sollën këtu ku jemi”, deklaroi protestuesja, e cila më pas kritikoi deputetët për mënyrën se si kanë ushtruar detyrën e tyre.
Të lidhura
None found
“Dua t’i them Parlamentit: Nuk na përfaqësoni. Keni miratuar ligje që kanë dëmtuar kombin dhe të ardhmen. Jemi në shesh për t’ju thënë që Shqipëria është e jona dhe e shqiptarëve”, u shpreh ajo.
Protestuesja foli edhe për largimin e të rinjve dhe fëmijëve nga Shqipëria, duke theksuar se kjo situatë është e dukshme për çdo qytetar dhe nuk kërkon të dhëna statistikore për t’u kuptuar.
“Nuk kemi nevojë për statistika, na mjafton që kemi parë të rinjtë dhe fëmijët që janë larguar. Janë larguar sepse nuk kanë gjetur vendin e duhur, pavarësisht arsimimit”, tha ajo.
Ajo përsëriti se vendi u përket qytetarëve të tij, duke e mbyllur këtë pjesë të mesazhit me fjalët: “Shqipëria është e jona.”
Më tej, qytetarja tregoi edhe gatishmërinë e bizneseve për të mbështetur protestën dhe për ta përshkallëzuar aksionin e tyre.
“Kudo shkojmë në Shqipëri dëgjojmë bizneset që thonë ‘jemi me ju dhe protestën jemi të gatshëm ta çojmë një hap më lart, të ulim qepenët të mos punojmë, të mos paguajmë taksat, të mbyllim bizneset gjatë ditësh, që administrata të mos ketë mundësi t’u trokasë në dyer’. Kur biznesi e ofron vetë këtë gjë imagjinoni ku kanë arritur. Me zor arrijnë plotësojnë pagat e punonjësve”, deklaroi protestuesja.
