Prokurorët e SPAK: Me akuzat e reja Belinda Balluku rrezikon 35 vite burg

“Belinda Balluku rrezikon deri në 35 vite burg”, kështu janë shprehur Prokurorët e SPAK në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ku u diskutua imuniteti i ish numrit dy të qeverisë.

Burime nga brenda mbledhje së Këshillit të Mandateve, që u zhvillua me dyer të mbyllura, bënë me dije se Prokurorët kanë deklaruar se pozita e Belinda Ballukut është rënduar.

“Në masat e para të kërkuara znj. Balluku rrezikonte deri në 10 vite burg; sot që flasim situata e saj është rënduar, dhe me akuzat e prokurorisë në këtë moment znj. Balluku rrezikon deri në 35 vite burg”, kanë deklaruar Prokurorët e SPAK.

Pasi prezantuan provat e reja për Ballukun dhe pasi janë dëgjuar nga anëtarët e Këshillit, tre prokurorët e SPAK, Klodian Braho, Dritan Brençi dhe Dorina Bejko janë larguar.

Ndërsa diskutimet vijuan mes anëtarëve të Këshillit të Mandateve, të cilët do të hartojnë edhe një raport, që do ta çojnë në Kuvend për miratim në datën 5 mars.