“Pro Shqipërisë së Madhe”, Vuçiç pas deklaratave të Ramës: Po të kisha përmendur Serbinë e madhe do më varnin në Bruksel

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u takua sot në Beograd me presidentin slloven Borut Pahor.

Në një konferencë të përbashkët që kanë mbajtur për shtyp, Vuçiç u pyet në lidhje me deklaratat e Kryeministrit Edi Rama, i cili u shpreh se është pro Shqipërisë së Madhe.

Vuçiç u përgjigj se zgjidhja ishte vetëm Bashkimi Europian.

Vuçiç tha se nëse do të përmendej formimi i Serbisë së madhe, BE-ja do të reagonte menjëherë, ndërsa shtoi se deklaratat për ndryshimin e kufijve rrezikojnë paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

“Deklaratat për ndryshimin e kufijve rrezikojnë paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor. E kam thënë shumë herë se kjo e thellon shqetësimin tim. Gjithçka që kemi parë vitet e fundit duhet të shqetësojë të gjithë ata që janë të interesuar për paqen. Përgjigja e vetme për rritjen e nacionalizmit është zgjerimi i BE-së.

Edhe Bashkimi Evropian ka përgjegjësi t’i kushtojë shumë më tepër kohë sesa po bën. Po të kishim përmendur një herë formimin e Serbisë së madhe, do të më varnin në Bruksel, por kur përmendet një Shqipëri e madhe, kjo është mirë, vetëm meqë ra fjala”, tha presidenti serb.

Kryeminstri Edi Rama dy ditë më parë në mbledhjen e dy qeverive tha se Bashkimi i Shqipërisë së Kosovës do të ndodhte, por megjithatë nuk dha një datë se kur./albeu.com/