Ditën e sotme, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dhe Zonja e Parë, Armanda Begaj, organizuan pritjen e përvitshme me rastin e festës së 1 Qershorit.
Të ftuarit e veçantë të këtij viti, ishin fëmijët e grave që shërbejnë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Të lidhura
None found
Në fjalën përshëndetëse, Presidenti Begaj, vlerësoi sakrificën dhe përkushtimin e grave në uniformë, ndërsa uroi fëmijët e pranishëm në këtë ceremoni festive.
Kreu i Shtetit i cilësoi gratë që shërbejnë në Forcat e Armatosura si krenari kombëtare, që përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë kudo dhe kurdoherë që vendi ka nevojë, duke ngritur lart flamurin shqiptar.
Presidenti ftoi fëmijët të gëzojnë, të luajnë dhe të bëjnë sa më shumë miq.
“Të dashur fëmijë, sot mendoj që lojërat do t’ju bëjnë më shumë miq me njëri-tjetrin, sepse kështu duhet të jetë jeta, e ndërtuar me miqësi dhe dashuri. Shumë faleminderit dhe gëzuar 1 Qershorin”, u shpreh Presidenti Begaj.
Edhe Zonja e Parë, Armanda Begaj, uroi fëmijët për festën e 1 Qershorit, ndërsa vlerësoi figurën e grave që shërbejnë në uniformë.
“Të luajmë së bashku me ju është gjithnjë kënaqësi, por fillimisht doja të ftoja fëmijët të duartrokasin për ato nëna që bëjnë krenare jo vetëm fëmijët e tyre, por të gjithë ne, nënat që shërbejnë me shumë përkushtim në ushtri. Faleminderit që keni ardhur dhe gëzuar festën”, u shpreh Zonja Begaj.
Fëmijët e pranishëm lëshuan tullumbace në qiell, si simbolikë e ëndrrave dhe dëshirave të tyre.
Më pas aktiviteti vijoi me një program artistik, ku performuan artistë të vegjël nga Durrësi. Pjesë e festës ishte edhe një shfaqje nga Teatri i Kukullave, me artisten Shegushe Bebeti, e cila ka frymëzuar breza me radhë me artin e saj.
Ekipi i Cirkut Kombëtar i dhuroi festës atmosferë dhe magji përmes interpretimeve të tij, ndërsa fëmijët u përfshinë në lojëra popullore, gara artistike dhe aktivitete sportive në natyrë.
Aktiviteti i 1 Qershorit në Presidencë u zhvillua si një festë kushtuar fëmijëve, por edhe si një vlerësim për nënat që shërbejnë në Forcat e Armatosura.




